
Studentët dhe dekani i Fakultetit Juridik i UIBM vizituan Ambasadën e Gjermanisë në Prishtinë
Studentët dhe Dekani i Fakultetit Juridik të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM), Prof. Asoc. Dr. Islam Qerimi, realizuan një vizitë të rëndësishme në Ambasadën e Republikës së Gjermanisë në Prishtinë. Gjatë kësaj vizite, ata u pritën nga Shkëlqesia e Tij Ambasadori Gjerman, z. Jorn Röhde, si dhe z. Christian Böttcher Shefi i Kulturës dhe Shtypit në Ambasadën Gjermane.
Vizita kishte për qëllim kryesor informimin mbi rolin dhe kontributin e Ambasadës Gjermane në procesin e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian. Ambasadori Röhde ndau me studentët dhe dekanin një pasqyrë të qartë të aktiviteteve të pandërprera që Ambasada Gjermane dhe shteti gjerman po realizojnë për fuqizimin e shtetit të së drejtës dhe demokracisë në Kosovë.
Gjatë diskutimit, Ambasadori theksoi angazhimet konkrete që përfaqësia diplomatike gjermane ka ndërmarë për avancimin e Republikës së Kosovës drejt anëtarësimit në organizatat evropiane dhe ato të Kombeve të Bashkuara. Ambasadori Röhde si dhe Shefi i Kulturës dhe Shtypit në Ambasadën Gjermane, z. Böttcher gjithashtu nënvizuan rëndësinë e bashkëpunimit mes institucioneve arsimore kosovare dhe gjermane si dhe partnereve ndërkombëtarë për të arritur këto objektiva.
Dekani Qerimi dhe studentët e Fakultetit Juridik të UIBM shprehën vullnetin e tyre për bashkëpunim të ngushtë me Ambasadën Gjermane dhe shtetin gjerman. Ata theksuan përkushtimin e tyre për të ndihmuar në procesin e integrimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, si dhe për të promovuar dialogun paqësor si mjet për zgjidhjen e çështjeve që rrjedhin nga marrëveshjet ndërkombëtare.
Në përfundim të takimit, Ambasadori Röhde dhe Dekani Qerimi u dakorduan për vazhdimin e këtyre takimeve informuese. Synimi kryesor i këtyre aktiviteteve është forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit në funksion të sigurimit të paqes, avancimit të shtetit të së drejtës dhe ruajtjes së demokracisë parlamentare në Kosovë, rajon dhe Evropë.
Kjo vizitë shënon një hap të rëndësishëm për nxitjen e partneriteteve mes institucioneve akademike të Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtarë, duke e vendosur UIBM dhe Fakultetin Juridik si një aktor të rëndësishëm në zhvillimin e kapaciteteve demokratike dhe juridike të vendit.