1

Studentët e Edukimit hapen ekspozitë me punime artistike

Studentët e vitit të tretë të Fakultetit të Edukimit në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë, kanë hapur të martën një ekspozitë arti me punimet që i kanë përgatitur gjatë gjithë vitit akademik. Ekspozita është hapur në qendrën e kulturës “Rexhep Mitrovicë”, ku përveç drejtuesve të Fakultetit të Edukimit, mësimdhënësve dhe studentëve kanë qenë të pranishëm edhe zyrtarë komunalë dhe dashamirës të artit.

Profesoresha e artit, Saranda Kika, e cila është përkujdesur për këtë ekspozitë, tha se ndjehet shumë e lumtur me nivelin artistik të punimeve që kanë përgatitur studentët. “Kjo ekspozitë dhe punimet që janë këtu tregojnë për një nivel të lartë artistik që i takon Fakultetit dhe Universitetit “Isa Boletini””, tha ajo.

Sipas saj, studentët janë mishëruar me artin, prandaj edhe suksesi i tyre nuk do të mungoj. “Është mirë që sot shohim këtu përveç studentëve edhe dashamirës të artit në Mitrovicë, që është një tregues i mirë për të ardhmen e artit në këtë qytet”.

Profesoresha Kika dhe studentët kanë falënderuar rektoratin, dekanatin dhe parlamentin studentor, për mbështetjen.