Studentët e Edukimit tregojnë shkathtësitë në fushën praktike
Përveç punës teorike, studentët e Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB), janë duke u fokusuar përherë e më shumë edhe në anën praktike. Në këtë kontekst, studentët e Fakultetit të Edukimit, kanë përgatitur disa video promovuese duke praktikuar shkathtësitë e tyre në fuqizimin e vlerave të shoqërisë.
Studentët janë shprehur shumë të kënaqur me mundësitë dhe qasjen e ofruar nga stafi akademik në UMIB. Sipas tyre, kombinimi i këtyre teknikave të punës ju ka mundësuar që të vënë në pah talentin dhe shkathtësitë e tyre.
Ndërsa profesoresha, Merita Shala, që ka asistuar në këto projekte të kësaj natyre me studentë, tha se ka vërejtur një interesim të jashtëzakonshëm nga ana e tyre. “Është kënaqësi të shohësh studentët që përkushtohen në punën e tyre dhe që patjetër do të rezultojnë të suksesshëm në karrierën e tyre në të ardhmen”, tha ajo.
Përndryshe të gjitha fakultetet në UMIB, kanë krijuar mundësi të mëdha për studentë edhe në fushën praktike. Kabinetet dhe laboratorët me pajisje moderne dhe bashkëpunimi me kompani të shumta private dhe publike i kanë dhënë shtytje avancimit profesional të studentëve.