Studentët e Ekonomikut vizituan Odën Ekonomike të Kosovës
Përveç punës në aspektin teorik, drejtuesit e Fakultetit Ekonomik në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini”, janë duke i dhënë rëndësi të madhe edhe anës praktike me qëllim që studentët të jenë sa më afër realitetit praktik në fushat ekonomike. Në këtë kontekst, një grup i studentëve të Fakultetit Ekonomik, kanë realizuar një vizitë në Odën Ekonomike të Kosovës (OEK).
Në takim me drejtuesit e OEK-ut, studentët janë njohur me punën, funksionin, kompetencat si dhe rolin e kësaj organizate në zhvillimin ekonomik dhe të bizneseve në Republikën e Kosovës, Pas përfundimit të prezantimit, studentët shtruan pyetje të ndryshme që kanë të bëjnë me aspektin ekonomik në vend.
Përfaqësuesit e OEK-ut, shprehën gatishmërinë që të bashkëpunojnë për së afërmi me studentët e Ekonomikut, duke krijuar mundësi që ata të jenë në rrjedha me trendët e zhvillimit ekonomik. Pas këtij takimi, studentët morën pjesë edhe në prezantimin e realizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës me titull “Indikatori matës i tendencës në biznes: Tremujori i katërt i vitit 2015”.
Studentët e vlerësuan këtë aktivitetet si një përvojë shumë të rëndësishme për ecurinë e studimeve të tyre. Ndërsa drejtuesit e Fakultetit Ekonomik, falënderuan përfaqësuesit e OEK-ut për bashkëpunim.