Studentët e Fakultetit Ekonomik të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë së fundi kanë realizuar vizitë studimore në InstaBuilt LLC
Studentët e Fakultetit Ekonomik të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë së fundi kanë realizuar vizitë studimore në InstaBuilt LLC, kompaninë më innovative në vendin tonë. Kjo vizitë ishte një mundësi e jashtëzakonshme për studentët që të shohin nga afër trended e fundit të ndërtimit që InstaBuilt ofron dhe të shohin drejtpërdrejt punën e jashtëzakonshme që Qendra e Inovacionit InstaBuilt po bën për brezat e ardhshëm.
Gjatë vizitës, studentët i shoqëruan edhe Dekani i FE-së Prof.Asoc.Dr. Qazim Tmava, Prodekanja e FE-së Prof.Ass.Dr. Filloreta Kunoviku Demiri, Drejtori i Qendrës së Inovacioneve dhe Ndërmarrësisë Prof. Besart Hajrizi, Prof.Dr. John McArdle, i cili është profesor vizitor në FE nga Salem State University – USA, si dhe disa pjesëmarrës të trajnimeve të Qendrës së Inovacioneve dhe Ndërmarrësisë në UIBM.
Me të mbërritur, stafi i fakultetit dhe studentët u mirëpritën përzemërsisht nga z. Mentor Pllana, Drejtor i Përgjithshëm i BP Home Group si dhe Shef Ekzekuktiv në Instabuilt, si dhe z. Ibrahim Ibrahimi, Drejtor Kryesor Financiar dhe Operacional në nivel të grupit, si dhe anëtarë të stafit të kësaj kompanie.
Gjatë vizitës, pjesëmarrësit patën privilegjin të vizitojnë eko-shtëpitë e prodhuara nga InstaBuilt të cilat janë të destinuara për tregjet ndërkombëtare, dhe të cilat ishin të ekspozuara në Demoparkun në hapsirat e fabrikës. Përveç kësaj, ata patën mundësinë të vizitojnë Qendrën e Inovacionit InstaBuilt, e cila do të shërbejë për të ardhmën e të jetuarit, të ardhmën e punës dhe të ardhmën e edukimit. Vizita përfundoi me një seancë diskutimi angazhuese me pronarin e kompanisë, z. Mentor Pllana, e cila u mbajt në njërën nga sallat që ofron kjo Qendër e Inovacionit. Profesionalizmi dhe thjeshtësia e jashtëzakonshme e z.Mentor Pllana shkëlqeu teksa iu drejtua me dashamirësi pyetjeve të shumta të pjesëmarrësve.
Pjesëmarrësit u impresionuan vërtet nga puna e jashtëzakonshme dhe shumë inovative e kompanisë. Me përfundimin e takimit, përfaqësues nga të dy institucionet shprehën dëshirën për të forcuar marrëdhëniet e tyre në të ardhmen. Ata diskutuan mundësinë e krijimit të një marrëveshjeje bashkëpunimi për shkëmbimin e njohurive dhe përvojave për përfitim reciprok.
Menaxhmenti i Fakultetit Ekonomik shpreh mirënjohjen e sinqertë për menaxhmentin e InstaBuilt për mikpritjen e ngrohtë dhe gatishmërinë e tyre për të bashkëpunuar për të mirën e brezave të ardhshëm.