Studentët e Fakultetit Juridik dhe Kampanja “Frymo Lirshem” Organizuan Tryezë të Rrumbullakët
Me iniciativën e studentit të Fakultetit Juridik, Adis Zeqiri, dhe koordinatorit rinor, Mehmet Salihu, në Fakultetin Juridik u organizua një tryezë e rrumbullakët me temë të rëndësishme për të ardhmen e shtetit të së drejtës: “E Drejta dhe Roli i të Rinjve në Ndërtimin e Shtetit të së Drejtës.”
Në këtë tryezë morën pjesë, përveç studentëve të Fakultetit Juridik, edhe ekspertë të fushës. Tryezën e përshëndeti edhe dekani i Fakultetit, Prof. asoc. dr. Islam Qerimi, i cili i përgëzoi ata për iniciativën e përbashkët të organizimit të kësaj ngjarjeje. Në fjalën e tij, Dekani Qerimi theksoi rëndësinë e shtetit të së drejtës, si një nga shtyllat kryesore të çdo shoqërie moderne që synon të mbrojë të drejtat e njeriut, liritë individuale dhe barazinë para ligjit. Ai gjithashtu theksoi se “të rinjtë janë e ardhmja e çdo shoqërie dhe kanë mundësinë, dhe mbi të gjitha përgjegjësinë, të kontribuojnë në ndërtimin e një shteti të drejtë.” Sipas tij, angazhimi i të rinjve në proceset politike dhe shoqërore është thelbësor për një shoqëri të drejtë dhe demokratike. Aktivizmi qytetar dhe ngritja e vetëdijes për të drejtat e njeriut janë hapa kyç që rinia duhet të ndërmarrë për të siguruar një shoqëri të barabartë dhe të drejtë.
Pas fjalës së Dekanit, fjala iu dha koordinatorit rinor, Mehmet Salihu, i cili foli për rëndësinë e aktivizimit rinor në shoqërinë kosovare. Ai theksoi se angazhimi i të rinjve po sjell rezultate të dukshme në avancimin e shtetit të së drejtës dhe të ligjit.
Avokati Drinor Koci gjithashtu ndau mendimet dhe eksperiencat e tij mbi rolin e të rinjve në formësimin e një shteti të drejtë dhe të ligjshëm.
Ngjarja u moderua nga studenti Adis Zeqiri, i cili udhëhoqi diskutimet dhe bëri ngjarjen më të veçantë dhe të frytshme për të pranishmit. Gjatë zhvillimit të tryezës, u zhvillua një debat i thellë rreth angazhimeve dhe rolit të studentëve dhe të rinjve në jetësimin e shtetit dhe të drejtës në Republikën e Kosovës.
Përfundimisht, konkluzioni i tryezës ishte jashtëzakonisht i rëndësishëm, pasi unanimisht u theksua se fuqizimi i brezit të ri dhe roli i tij në përparimin e rendit juridik dhe shtetit të së drejtës janë thelbësore për zhvillimin e mëtejshëm të Kosovës. Ky aktivitet i studentëve kontribuon në krijimin e një shoqërie më të drejtë dhe demokratike, dhe është një hap i rëndësishëm drejt ndërtimit të një shteti të së drejtës.
Në fund, për pjesëmarrësit e kësaj tryeze, Dekani Qerimi ndau certifikata të pjesëmarrjes, duke i vlerësuar ata për angazhimin dhe kontributin e dhënë në këtë ngjarje të rëndësishme.