Juridik1

Studentët e Fakultetit Juridik të Universitetit “Isa Boletini“ në Mitrovicë sot kanë zhvilluar një vizitë studimore në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) në Prishtinë

Atyre së pari ju dëshiroi mirëseardhje U.D. Drejtori i Përgjithshëm të këtij Instituti z. Naim Uka, si dhe në vazhdim i njoftoi për hapat që do të ndërmerren nga personeli kompetent i departamenteve për të afruar të dhëna të drejtëpërdrejta për punën që zhvillohet në këtë Institut e gjithashtu edhe për vështirësitë në të cilat hasin dhe shërbimet të cilat kryhen. Studentët u informuan se të gjitha ekzaminimet mjekoligjore kryhen në lokalet e këtij Instituti dhe kryhen nga specialistët (ekspertë) të certifikuar mjekoligjor.

Ai potencoi se detyrat e Departamentit të Mjekësisë Ligjore përfshijnë, mirpo nuk kufizohen në mbajtjen e të drejtës për të siguruar ekspertizë mjekoligjore për organet publike, për të udhëhequr hetimet mjekësore për vdekjen në vendin e ngjarjes, për të kryer ekshumime (zhvarrosje), për të kryer inspektime post-mortem(pas vdekjes) dhe autopsi, ekzaminimin e viktimave që kanë pësuar nga veprat penale kundër jetës dhe trupit, përcaktimin e seksit (gjinisë), racës, gjatësisë, moshës, dhe shkakun e vdekjes të mbetjeve mortore të një personi të pa identifikuar kurdoherë që është e mundur, kryerjen e autopsisë dhe/ose profilit antropologjiko biologjik dhe lëshon raport të autopsis në raste të zbulimit të mbetjeve mortore, mbajtjen e të drejtës eksluzive për koordiniminin dhe udhëheqjen e ekzaminimeve klinike për viktima, dëshmitar dhe autorët e mundshëm(supozuar) të krimit kundër integritetit seksual, kërkimin e dokumenteve mjekësore që kanë të bëjnë me viktimën dhe/ose pandehurin për krimet kundër jetës dhe trupit, mbledh ose ekzaminon dëshmitë e gjetura nga viktimat, dëshmitarët, apo të pandehurit e krimeve kundër integritetit seksual dhe veprave penale kundër jetës dhe trupit, bazuar në Kodin Penal të Kosovës.

Më tutje studentëve ju drejtua antropologu mjeko-ligjor dhe specialisti i mjekësisë ligjore, Ditor Haliti, i cili tha se çështja e identifikimeve të mbetjeve mortore nga lufta e fundit në vend, është shumë e rëndësishme për këtë institut. Ai shtoi se në IML i trajtonë rastet të cilat kanë të bëjnë kryesisht nga lufta e fundit në Kosovë, por jo vetëm. Gjithashtu, theksoi se puna e tyre bazohet në analizën, ekzaminimin e mbetjeve njerëzore, që janë në gjendje të dekompozuar dhe të skeletizuar, e që janë në gjendje të paidentifikueshme. Një detyrë e cila u takon që t’i trajtojnë ato dhe të provojnë t’ia gjejnë identitetin dhe t’i dokumentojnë të gjitha ato trauma apo sëmundje të cilat kanë mundur të jenë në trupin e individit. Antropologu Haliti theksoi se në morgun e IML-së janë rreth 300 mbetje mortore të paidentifikuara.

Për punët të cilat i kryen ky Institut studentëve u folën edhe Dr. Musa Gashi, udhëheqës i Departamentit për Mjekësi Ligjore si dhe Driton Krasniqi – specialist për Divizionin për Autopsi Mjeko Ligjore dhe specialistë të tjerë. Prezentimi i punimit shkencor të z. Krasniqi u ndoq me një interesim të veçantë, meqenëse në te u trajtua në mënyrë të hollësishëme mbi punët e këtij instituti. Në vazhdim studentëve ju mundësua që në mënyrë të drejtëpërdrejtë të vështrojnë punën e specialistëve në departamentet dhe laboratoret e mjekësisë ligjore. Studentët i përcollën me shumë seriozitet, interesim dhe vëmendje demonstrimet e specialistëve të këtij instituti dhe shtruan shumë pyetje në lidhje me ato intervenime.

Në fund të këtij takimi studimor tërë ditor, U. D. Dekani i Fakultetit Juridik të UIBM-së, Profesori Islam Qerimi u falenderua në emrin e studentëve dhe të tij, U.D. Drejtorit të Institutit të Mjekësisë Ligjore, Naim Uka – specialist si dhe u dakorduan që organizime të këtilla të ketë edhe në të ardhmen. Posaçërisht u fokusuan për projektin e përbashkët të radhës, i cili do të funksionalizohet dhe do të jetë me interes vital për studentët e këtij Fakulteti dhe tërë Universitetin. Gjithashtu, një falenderim i veçantë i’u adresua edhe specialistit të këtij Insituti, z. Driton Krasniqi, i cili kontribuoi në organizimin e kësaj vizite studimore.

Juridik 2