Studentët e Fakultetit Juridik vizituan Zyrën e Këshillit të Evropës në Prishtinë
Me iniciativë të asistentes së Fakultetit Juridik, Albulena Uka, studentët e Fakultetit Juridik të Universitetit “Isa Boletini” Mitrovicë, kanë vizituar të mërkurën Zyrën e Këshillit të Evropës në Prishtinë. Studentët e Juridikut të shoqëruar nga dekani, Islam Qerimi, profesori Besnik Murati dhe asistenja, Albulena Uka u pritën nga Shefja e Zyrës së Këshillit të Evropës, Mary Ann Hennessy, zëvendësshefi, Tankut Soykan dhe përfaqësuesit e projekteve të Këshillit të Evropës në Prishtinë.
Shefja e Zyrës së KiE në fjalën hyrëse falënderoi drejtuesit e Fakultetin dhe studentët për interesimin e tyre për të vizituar Këshillin e Evropës, të cilën e cilësoi si organizatën evropiane më unike dhe më efikase për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në botë.
Dekani, Islam Qerimi, falënderoi Zyrën e Këshillit të Evropës në Prishtinë për mirëpritjen e studentëve dhe ofrimit e kësaj mundësie të diskutimit dhe bashkëpunimit me përfaqësuesit e Këshillit të Evropës në Prishtinë. Kurse, asistentja Albulena Uka, konsideroi se kjo është një mundësi e mirë që studentët të shohin nga afër dhe të diskutojnë edhe në praktikë lidhur me çështjet që janë mësuar gjatë semestrit në lëndën “E drejta ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”.
Përfaqësuesit e Këshillit të Evropës në Prishtinë paraqitën prezantimet e tyre lidhur me funksionin e Këshillit të Evropës, rolin e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe projektet që po zbatohen nga Zyra e Këshillit të Evropës në Prishtinë. Prezantimet e përfaqësuesve të Këshillit të Evropës u pasuan me pyetje përmbajtjesore nga ana e studentëve të cilët edhe morën përgjigje nga përfaqësuesit e KiE.
Në fund, dekani Qerimi dhe Shefja e Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, u dakorduan për të vazhduar aktivitetet e përbashkëta dhe bashkëpunimin në mes të dy institucioneve.