Studentët e FTU-së realizuan vizita studimore në disa kompani në qytetin e Gjilanit dhe të Mitrovicës
Studentët e vitit të dytë dhe të tretë të nivelit bachelor në programin Inxhinieri dhe Teknologji Ushqimore në Fakultetin e Teknologjisë Ushqimore, në kuadër të mësimit praktik, vizituan kompanitë “Jaffa Plus”, “RC Cola” dhe “Floil” në Gjilan. Nga teknologët e kompanive përkatëse u njoftuan me lëndën e parë, procesin teknologjik të përpunimit të lëngjeve dhe pijeve të gazuara, përftimin e vajrave si dhe analizat laboratorike të cilat realizohen.
Studentët e vitit të tretë të nivelit bachelor, programi Inxhinieri dhe teknologji Ushqimore dhe studentët e vitit të parë të nivelit master, programi Teknologji, me specializimin Inxhinieri e mbrojtjes mjedisore, vizituan kompaninë e përpunimit të qumështit “Aldi” në Mitrovicë. Nga teknologët e kompanisë, studentët u njohën me lëndën e parë, përpunimin teknologjik të qumështit dhe produkteve të tij, ku për së afërmi e përcollën procesin teknologjik të përftimit të kosit.
Studentët e vitit të tretë të nivelit bachelor, programi Inxhinieri dhe teknologji Ushqimore në kuadër të lëndës Teknologjia e përpunimit të qumështit dhe Kontrolli i cilësisë së ushqimi realizuan një vizitë në fermën dhe përpunuesin e qumështit të dhive “Shala”. Në kuadër të kësaj vizite studentët patën rastin të mësojnë në mënyrë praktike për mirëmbajtjen e kësaj ferme, procesin e mjeljes me sistem të mbyllur, teknikat e testimit të qumështit në vend, dhe testit për mastit. Pronarja e fermës i njoftoi studentët me procesin përpunues që kryhet në qendrën e fermës, si procesin e pasterizimit, procesin prodhimit të djathit, si dhe prodhimin e qumështit të pasterizuar, djathit dhe hirrës.
Studentët e vitit të tretë të nivelit Bachelor, Programi Teknologji, specializimi Inxhinieria e Mjedisit, në kuadër të lëndës Metodat instrumentale në mbrojtjen e mjedisit, realizuan një vizitë studimore në laboratorin e flotacionit në Tunelin e Parë. Aty u priten nga Fetije Hajdari, e cila e shpjegoi punën me absorber atomik me flakë dhe demonstroi në mënyrë praktike analizat e metaleve në mostrat e koncentratit. Njëkohësisht, ata falënderuan drejtorin Bajram Jashari për bashkëpunimin dhe realizimin e vizitës studimore.