Studentët e FTU -së realizuan vizita studimore në dy kompani në Gjakovë
Studentët e nivelit master në Fakultetin e Teknologjisë Ushqimore, drejtimi Inxhinieri e Mbrojtjes së Mjedisit dhe Inxhinieri Kimike si dhe studentet e vitit të tretë në nivelin bachelor, drejtimi Inxhinieria e Mjedisit, së bashku me profesorët Mehush Aliu, Flora Ferati dhe Faruk Hajrizi, realizuan një vizitë studimore në Impiantin e trajtimit të ujërave të ndotura dhe në kompaninë “Kosovo Glass Recycling” në Gjakovë. Në Impiantin e trajtimit të ujërave të ndotura ata u pritën nga shefja e këtij impianti znj. Fjolla Lasku, e cila u shpjegoi studentëve në mënyrë të detajuar të gjitha fazat e trajtimit të ujërave të ndotura.
Ajo theksoi se qëllimi kryesor i ndërtimit të këtij Impianti modern ka qenë zvogëlimi i ndotjes mjedisore në qytetin e Gjakovës, duke trajtuar ujërat e ndotura të zonës. Në kompaninë “Kosovo Glass Recycling” studentët dhe profesorët u pritën nga pronari Dukagjin Berisha, i cili u spjegoi atyre për punët që kryhen në kuadër të kësaj kompanie, për llojet e materialeve që mund të riciklohen, për ndarjen e shisheve të qelqit dhe plastikës, si dhe përfitimet ekonomike dhe mjedisore nga produktet e ricikluara.
Gjatë këtyre vizitave përfaqësuesit e Fakultetit dhe dy kompanive u dakorduan që në të ardhmën të rrisin bashkëpunimin dhe ta konkretizojnë atë me marrëveshje bashkëpunimi.