Studentët e Juridikut bashkëpunojnë me kolegët e tyre nga Kolegji Amerikan
Studentët e Fakultetit Juridik të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, në kuadër të bashkëpunimit ndëruniversitar, kanë mbajtur një debat të përbashkët me një grup studentësh nga Kolegji Amerikan në Kosovë “Rochester Institute of Technology Kosovo”. Në debatin që është mbajtur në sallën e Senatit të Universitetit “Isa Boletini”, është diskutuar për aktualitetin politik në Kosovë.
Me këtë rast studentët kanë paraqitur qëndrimet e veta edhe sa i përket ideve të ndryshme që diskutohen në qarqet politike vendore dhe ndërkombëtare, sikur ajo për shkëmbimet e territoreve. Ata prezantuan qëndrimet e tyre në mënyrë të argumentuar, duke shfaqur një nivel të mirë debati.
Kryetari i Këshillit Studentor të Fakultetit Juridik, Bardh Sylejmani, debatin e ka vlerësuar si një përvojë shumë të mirë për studentët. Ai falënderoi studentët e Kolegjit Amerikan për bashkëpunimim dhe po ashtu theksoi se ky debat është vetëm fillimi i bashkëpunimit ndërmjet strukturave studentore të këtyre dy insitucioneve akademike.
Ai gjithashtu ka falënderuar dekanatin e Fakultetit Juridik, për mbështetje sa i përket këtij aktiviteti.