Studentët e Universitetit të Mitrovicës shihen si e ardhmja e sektorit minerar në Kosovë
Studentët e Fakultetit të Gjeoshkencave janë bërë pjesë e një takimi të organizuar nga Oda Tregtare Kosovaro-Turke, ku kompania turke ESAN, prezantoi mundësitë për investime në sektorin minerar në Kosovë dhe krijimin e vendeve të punës. Studentët poashtu janë informuar për infrastrukturën ligjore që rregullon sektorin minerar në Kosovë.
Në takim ishte i pranishëm edhe rektori i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, Alush Musaj dhe dekani i Fakultetit të Gjeoshkencave, Naser Peci, të cilët e vlerësuan si një rast të mirë për studentët që nesër do të jenë udhëheqin me sektorin minerar në vend. Rektori Musaj, shfaqi shpresën se studentët do ta shfrytëzojnë këtë mundësi që ju është dhënë, duke punuar për të ardhmen dhe për një Kosovë më të zhvilluar.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, tha se Kosova ka pasur Strategji për sektorin minerar dhe infrastrukturë ligjore e cila e rregullon këtë fushë, por kanë dashur që të angazhohen edhe me projekte konkrete, me të cilat do të ndryshojë fotografia e sektorit minerar në Kosovë. “Një projekt në fushën e minierave konsiderohet se është i suksesshëm vetëm atëherë kur krijon bilanc ekonomik ambiental dhe social”, tha Stavileci, duke shtuar se studentët e Fakultetit të Gjeoshkencave janë kuadrot e ardhme, qoftë në bërjen e politikave sektoriale, qoftë në të qenë pjesë e një fuqie punëtore të kualifikuar e cila mund t’i përballoj sfidat e kohës.
Ndërkaq, Serpil Demirel, drejtoreshë në ESAN, tha se kjo kompani është e interesuar për investime në sektorin minerar në Kosovë dhe për këtë nga viti 2011 është në vend duke kryer hulumtime. “Jemi këtu për të finalizuar investimet. Kemi dy licenca për hulumtime dhe do të vazhdojmë edhe me hulumtime në tri zona tjera. Ndodhemi në fazën e parafizibilitetit dhe kemi një plan biznesi për investime”, tha Demirel.