Studentët me aftësi të kufizuara të kënaqur me kushtet e krijuara në UIBM
Studentët me aftësi të kufizuara që kanë qenë apo janë pjesë e Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM), janë të kënaqur me kushtet dhe qasjen ndaj tyre. Në një takim me Hiljmnijeta Apuk, presidente e “OJQ-Little People of Kosova – Mitrovicë”, studentët Albert Baruti dhe Leonita Sadiku si dhe ish – studentja, Egzona Ibishi, thanë se UIBM ju ka krijuar kushte të mira për studime.
Në këtë kontekst, ata folën për infrastrukturën e krijuar që ka lehtësuar qasjen në gjithë objektet e UIBM si dhe për trajtimin e mirë nga stafi akademik dhe administrata. Në anën tjetër, potencuan problemet sa i përket punësimit qoftë gjatë studimeve, qoftë pas studimeve.
Ndërsa, Hiljmnijeta Apuk, presidente e “OJQ-Little People of Kosova – Mitrovicë”, i njoftoi ata për një marrëveshje bashkëpunimi të nënshkruar me drejtuesit e UIBM – së që ka të bëj me trajtimin e personave me aftësi të kufizuara. “Nevojitet vëmendje e veçantë që studentët me aftësi të kufizuara, të zhvillojnë dhe të ndërtojnë një strukturë për përfshirjen e tyre më të lehtë në arsimin e lartë në UIBM, i cili do të jetë shembull i praktikës së mirë për universitetet tjera në Republikën e Kosovës, vendet e rajonit të Ballkanit dhe vende të tjera të botës”, tha ajo.
Apuk theksoi se kanë gjetur mbështetje të parezervë nga rektori i UIBM -së, prof.dr. Alush Musaj, sa i përket personave me aftësi të kufizuara.