Studentët mitrovicas u takuan me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli
Drejtuesit e Parlamentit Studentor të Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB) si dhe një grup studentësh nga këshillat e fakulteteve, janë pritur në takim nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli. Studentët e kanë njoftuar kryetarin Veseli për progresin dhe sfidat me të cilat po përballen ata si studentë.
Kryetari i Parlamentit Studentor, Fitim Latifaj, tha se UMIB-i përkundër sfidave është një ndër universitetet e reja publike më të stabilizuara në vend. “Fal përkushtimit të stafit akademik, menxhmentit dhe vetë studentëve, UMIB-i po shndërrohet në model të suksesit”, tha ai.
Ndërsa si sfidë, Latifaj përmendi mungesën e hapësirës së nevojshme universitare, por që pritet të zgjidhet me ndërtimin e kampusit të ri universitar. “Shpresojmë që sa më parë të përfundoj kampusi i ri universitar që është duke u ndërtuar në Mitrovicë, me çka do të krijohen kushte shumë të mira për punë”.
Në anën tjetër, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka çmuar angazhimin e studentëve për ta ndihmuar Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini” si universitet i ri. Ai u shpreh i kënaqur me konsolidimin e këtij universiteti, duke bërë që të rritet cilësia në mësimdhënie dhe mësimnxënie.
Veseli tha se marrëdhëniet e bashkëpunimit ndërmjet studentëve dhe stafit të universitetit do të ndikojnë në tejkalimin e sfidave, por edhe arritjeve të Universitetit të Mitrovicës. Ndërsa sa i përket kampusit, ai theksoi se do të përfundojë së shpejti dhe do të krijojë hapësirë komode për studentët dhe profesorët.
Veseli u njoftua edhe rreth programeve të studimit, rreth numrit të studentëve që vijojnë studimet si dhe të marrëdhënieve të bashkëpunimit të UMIB me universitetet e tjera në rajon.