Studentët vizituan Kuvendin e Kosovës dhe u takuan me kryetarin, Kadri Veseli
Drejtuesit e Parlamentit Studentor të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, kanë takuar kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselin, me rastin e 5-vjetorit të ratifikimit të vendimit për themelimin e këtij universiteti. Ata ia kanë dhuruar kryetarit Veseli një simbol të 5-vjetorit të Universitetit “Isa Boletini” dhe e kanë falënderuar atë për mbështetje.
Kryetari i Parlamentit Studentor, Shend Musliu, shprehu kënaqësinë për vizitën në Kuvendin e Kosovës dhe takimin e realizuar me kryetarin Veseli. “Pesë vjetorit i ratifikimit të vendimit për themelimin e Universitetit tonë ishte një moment i mirë për ta falenderuar kryetarin e Kuvendit të Kosovës. Kadri Veseli, në emër të studentëve të Universitetit “Isa Boletini””, tha ai.
Në takim studentët kanë folur për sfidat dhe të arriturat e tyre. Ata shprehën kënaqësinë që vitin e ri akademik do ta fillojnë në kampusin e ri universitar, që po ndërtohet me mbështetje të institucioneve të Kosovës.
Në anën tjetër, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ju ka uruar suksese në studime studentëve dhe ua ka uruar 5-vjetorin e themelimit të të Universitetit “Isa Boletini”. “Ju jeni e ardhmja e këtij vendi, prandaj do ta keni mbështetjen tonë të vazhdueshme”, tha Veseli.