Takim monitorues për projektin “Drejt një sistemi të orientuar për cilësi të arsimit fillestar për të rritur profesionalizmin e mësuesve në Kosovë-QATEK”
Sot, më 25 qershor 2021, Prorektorja për Mësimdhënie, Çështje të studentëve dhe Zhvillim të Cilësisë prof. ass. dr. Merita Shala, së bashku me përfaqësueset e Fakultetit të Edukimit, Prof. Fatbardha Hoxha dhe Prof. Albana Sadiku, kanë pritur në takim znj. Jehona Lushaku Sadriu, Koordinatore e zyrës së Erasmus+ në Kosovë dhe znj. Blerina Zjaqa, zyrtare në Erasmus+.
Qëllimi i takimit kishte karakter monitorues për projektin “Drejt një sistemi të orientuar për cilësi të arsimit fillestar për të rritur profesionalizmin e mësuesve në Kosovë-QATEK” (QATEK- Towards Quality Oriented System of Initial Teacher Education to Increase Teacher Professionalism in Kosovo) duke u fokusuar në aktivitetet e realizuara dhe produktet e zhvilluara deri më tani.
Prorektorja Shala, gjatë takimit i ka njoftuar përfaqësueset e zyrës së Erasmus+, rreth aktiviteteve, të arriturat e deritanishme, planet dhe sfidat me të cilat po përballen në implementimin e këtij projekti në Fakultetin e Edukimit në UIBM. Fokusi u vendos në përfitimet e programit, studentëve dhe stafit nga angazhimi në këtë projekt.
Ndërsa, përfaqësueset nga zyra e Erasmus + në Kosovë, pas bisedës së frytshme, siguruan vazhdimësinë e mbështetjes për realizimin sa më me sukses të këtij projekti.