Fakulteti

Themelohet “Instituti për Studime dhe Hulumtime Juridike e Ligjore” dhe “Instituti i Gjeoshkencave”

Pas themelimit të “Institutit për Studime dhe Hulumtime Juridike e Ligjore” (ISHJL) në kuadër të Fakultetit Juridik (FJ), Këshilli Drejtues i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM), në mbledhjen e fundit ka marrë vendim edhe për themelimin  e Institutit të Gjeoshkencave në kuadër të Fakultetit të Gjeoshkencave (FGJ). Gjithashtu janë miratuar edhe rregulloret e këtyre instituteve.

Rektori i UIBM, prof.dr. Alush Musaj, tha se këto dy institute janë dëshmi e punës së mirë që po bëhet nëpër fakultete. “Konsolidimi i UIBM ka krijuar mundësi që fokusi të orientohet krejtësisht në punën kërkimore e shkencore, duke përfshirë në këtë rast edhe krijimin e këtyre instituteve”.

Qëllimi i Institutit për Studime dhe Hulumtime Juridike e Ligjore, sipas rregullores së miratuar është përkrahja dhe avancimi i zhvillimit të hulumtimeve dhe studimeve juridike e ligjore. Gjithashtu nënvizohet zhvillimi i kapaciteteve njerëzore dhe infrastrukturës për  veprimtaritë juridike e ligjore.

Sa i përket veprimtarisë, Instituti për Studime dhe Hulumtime Juridike e Ligjore, ndër të tjera do të realizojë këto aktivitete: realizimin dhe mbështetjen e hulumtimeve juridike dhe ligjore, do të promovojë studimet ndërdisiplnare, të përgatis analiza dhe ekspertizë juridike dhe ligjore për nevoja të institucioneve publike dhe shtetërore.

Ndërsa, Instituti i Gjeoshkencave, do të merr përgjegjësi në edukimin, trajnimin dhe krijimin e kërkuesve për kërkime të përsosura në FGJ dhe në Universitet, duke rritur ndërveprimin me komunitetin përmes kërkimit krijues dhe ofrimit të shërbimeve shkencore. IGJ ruan dhe zhvillon rolin e një instituti kryesor në fushën e mineraleve, materialeve, inxhinierisë dhe mjedisit për të përmbushur detyrat universitare në kërkim të njohurive dhe zgjidhjeve të problemeve komplekse, duke përgatitur studiues dhe lider hulumtues për t’i shërbyer nevojave të shoqërisë.