Trajnimi

Trajnim për rritjen e aftësive komunikuese të studentëve

Ka filluar të hënën trajnimi për rritjen e aftësive komunikuese me studentët e Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM), që është organizuar nga Qendra për Zhvillim në Karrierë dhe GIZ-i.  Ky trajnim mëton të ndihmojë studentët në rritjen aftësive komunikuese dhe prezantuese, si parakusht për vetëprezantim më të mirë në ngjarjet që ofrojnë mundësi punësimi, përfshirë Panairin Kombëtar të Punës dhe Karrierës.

Përmbajtja e punëtorisë është konceptuar për të rritur aftësitë e vetë-prezantimit efektiv të pjesëmarrësve, duke përdorur “Elevator’s pitch” dhe teknika të ngjashme të rëndësishme për prezantim të shkurtër dhe efikas, si dhe seanca praktike përmes Role-play. Ndër të tjera në trajnim do të diskutohet për informacion mbi përmirësimin e aftësive komunikuese dhe prezantuese, prezantimet efektive, rregullat që duhen ndjekur për prezantime efektive etj.

Zyrtari i Lartë i Qendrës për Zhvillim të Karrierës, Alban Fazliu, falënderoi drejtuesit e GIZ-it për mundësinë që kanë krijuar për studentët e UIBM. “Këto trajnime janë të mirëseardhura për studentët tanë, të cilët mund të përfitojnë përvoja në fusha të ndryshme që janë të rëndësishme për karrierën e tyre”, tha ai.