FIMK

Tre studentë të FIMK-ut shpërblehen me çmimin “Best Business Idea”

Studentët Petrit Rexha, Edon Berisha dhe Alban Rrahmani nga Departamenti Shkenca Kompjuterike dhe Inxhinieri, në kuadër të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike dhe Kompjuterike, janë shpërblyer me çmimin “Best Business Idea” në Prishtina Innovate Healthcare Hackathon, si pjesë e projektit inovativ “Humanoid Robot as a Digital Health Assistant”, i cili u mbajt më 04-06 prill 2025. Projekti synon të sjellë një qasje të re në shëndetësi, përmes përdorimit të robotikës humanoide për të ofruar asistencë digjitale dhe përkujdesje shëndetësore. Kjo zgjidhje teknologjike ka për qëllim të përmirësojë cilësinë e shërbimeve dhe të ndihmojë pacientët në menaxhimin më të mirë të shëndetit të tyre.

Shefi i Departamentit Shkenca Kompjuterike dhe Inxhinieri, Prof. Ass. Dr. Berat Ujkani, tha se ky sukses është një dëshmi e punës dhe përkushtimit të studentëve tanë, por edhe e përpjekjeve të vazhdueshme të departamentit për të nxitur inovacionin dhe aplikimin praktik të dijes në fushat bashkëkohore të teknologjisë. “Ky çmim tregon potencialin e lartë që kanë studentët tanë për të kontribuar në zgjidhjen e sfidave reale përmes teknologjive të reja dhe përfaqëson një shembull të mirë për të gjithë komunitetin akademik”, tha ai.