TRYEZË E RRUMBULLAKTË SHKENCORE
Njoftim për Tryezë të Rrumbullakët Shkencore
Ju informojmë se më 10 dhjetor 2024, nga ora 11:00, menaxhmenti i Fakultetit tonë, në bashkëpunim me Fakultetin Juridik të Universitetit të Tetovës, do të organizojë një tryezë të përbashkët shkencore me rastin e Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut. Kjo ditë shënon miratimin e Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara më 10 dhjetor 1948.
Veçanërisht, mbajtja e kësaj tryeze është me rëndësi të veçantë për shkak të faktit se Republika e Maqedonisë së Veriut është zgjedhur si anëtare e Këshillit të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut për periudhën 2025-2027, në zgjedhjet e mbajtura në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork.
Tema që do të trajtohet është: “Respektimi dhe garantimi i të drejtave të njeriut në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut”.
Kjo tryezë do të ofrojë mundësinë për shkëmbimin e ideve dhe diskutimin mbi temat e rëndësishme që lidhen me të drejtat e njeriut në këto dy shtete dhe zhvillimet e fundit në këtë fushë.
Andaj, kam nderin dhe kënaqësinë t’ju ftoj të merrni pjesë dhe të paraqisni prezantimet tuaja mbi këtë tematikë.
Ju faleminderit për bashkëpunimin dhe pres me padurim pjesëmarrjen tuaj në këtë ngjarje të rëndësishme!