Pana1

U hap “Panairi për Shkencë dhe Teknologji”

Në kuadër të manifestimit për shënimin e 8-vjetorit të themelimit të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM), të premten është hapur Panairi për Shkencë dhe Teknologji që është organizuar nga Parlamenti Studentor. Në hapje të Panairit, tashmë tradicional, ka marrë pjesë edhe rektori,  prof.dr.Alush Musaj, mandej prorektorët, dekanët, si dhe studentë dhe nxënës të shkollave të mesme.

Rektori Musaj, fillimisht ka uruar për 8-vjetorin e UIBM dhe ka falënderuar Parlamentin Studentor për organizimin, duke krijuar mundësi që në të njëjtën kohë të promovohet UIBM dhe të ofrohet mundësi për nxënësit e shkollave të mesme që të marrin informata për programet që ofrohen. “Tashmë është bërë një traditë e mirë që për çdo përvjetor kampusi universitar të gjallërohet nga studentët dhe nxënësit e shkollave të mesme, të cilët do të mund të bëhen pjesë e  UIBM”, tha ai.

Ndërsa, kryetarja e Parlamentit Studentor, Edona Haxhimehmeti, falënderoi menaxhmentin e UIBM për mbështetjen e vazhdueshme për aktivitetet e tyre. “Jemi shumë të kënaqur me interesimin e studentëve që të marrin pjesë në këto aktivitete, që e kanë pasuruar jetën studentore në Universitetin tonë”.

Për mundësitë që ofrohen në UIBM ka folur ish-studenti, Blend Broqi, tash një ekspert i dalluar në një kompani private. “Unë kam mbaruar Fakultetin e Teknologjisë Ushqimore, prej ku kam përshtypjet më të mira për punën e mirë dhe mundësitë që ofrohen për përgatitjen profesionale. Kam bërë zgjedhjen e duhur dhe për këtë jam bindur meqë jam punësuar menjëherë pas diplomimit”, tha ai.

Pas ceremonisë së hapjes së Panairit, rektori dhe mysafirët kanë vizituar stendat e vendosura në ambientet e hapura të kampusit universitar, ku grupe studentësh kanë prezantuar punën që bëhet nëpër fakultetet e tyre.

Pana1