1

U mbajt Akademia Përkujtimore kushtuar akademikut, Minir Dushi

Në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM) u mbajt të mërkurën një Akademi Përkujtimore kushtuar akademikut, Minir Dushi, i cili u nda nga jeta më 27 janar 2025. Përveç drejtuesve të UIBM, të pranishëm në këtë ngjarje ishin edhe ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, drejtues dhe përfaqësues të institucioneve, familjarë, miq e shokë të akademikut, Dushi.

Rektorja e UIBM, prof.dr. Nurten Deva, tha se akademik Dushi e mbylli jetën, por la hapur librat e tij për gjeneratat e reja. “Kontributi i tij është i gjithanshëm, prandaj ai nderohet prej të gjithëve, si prej studentëve, minatorëve, profesorëve, miqve, shokëve e kolegëve. Ai nderohet meqë na ka bërë nder të gjithëve me punën e tij dhe arritjet e tij”, tha ajo.

Ajo theksoi se jeta akademike në Mitrovicë është e ndërlidhur ngushtë me emrin e akademikut, Dushi. “Ai ka qenë njeriu kryesor që ka bartur barrën dhe përgjegjësinë e themelimit të Shkollës së Lartë Teknike në vitin 1961, duke mbajtur edhe pozitën e drejtorit që në fillim.  Ai ka dhënë kontribut të madh për themelimin e Fakultetit të Xehetarisë dhe Metalurgjisë, duke qenë edhe dekani i parë. Ai gjithashtu ka qenë inxhinieri i parë shqiptar që ka punuar në minierën “Trepça”. Pra ai ka qenë i pari dhe i tillë do të mbetet në kujtesën tonë dhe në historikun e institucioneve tona”.

Për jetën dhe veprën e akademik Dushit kanë folur edhe ministrja e MASHTI-t, Arbërie Nagavci, akademik, Fejzullah Krasniqi nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Profesori Bajram Mustafa e ka lexuar biografinë e akademikut Dushi, ndërsa në vazhdim kanë folur edhe dekani i Fakultetit të Gjeoshkencave, prof.dr. Festim Kutllovci dhe kryetari i Sindikatës së Pavarur të Minatorëve të Trepçës, Ibrahim Jonuzaj.

Në vazhdim është shfaqur një materiali i shkurtër filmik përmbledhur nga intervistat dhe fjalimet e akademikut, Minir Dushi, dhënë me rastin e 10 -vjetorit të Universitetit “Isa Boletini”, ku u nderua me titullin “Docotor Honoris Causa”, kurse në fund në emër të familjes të pranishmit i ka përshëndetur dhe falënderuar, Baton Dushi, djali i akademikut.