U mbajt Akademia Përkujtimore kushtuar prof.dr. Afrim Koliqi
Në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM), u mbajt të premten Akademia Përkujtimore kushtuar prof.dr. Afrim Koliqi, i cili u nda nga jeta më 16.11. 2023. Të pranishëm në këtë ngjarje përveç drejtuesve të UIBM, ishin edhe familjarë, miq, kolegë dhe mysafirë të tjerë, që nderuan jetën dhe veprën e profesorit të ndjerë, i cili përveç në ish – Fakultetin Xehetaro – Metalurgjik, një kontribut të madh e ka dhënë edhe në Fakultetin e Gjeoshkencave.
Në emër të UIBM të pranishmëve ju ka drejtuar me një fjalë rasti, rektorja, prof.asoc.dr. Merita Shala, e cila ka ngushëlluar familjarët, miqtë dhe kolegët profesorit të ndjerë, Afrim Koliqi. “Ka vetëm pak ditë që profesor Koliqi është ndarë fizikisht nga kjo botë, prandaj dhimbja dhe mërzia janë të freskëta për prindin, familjarin, mikun dhe kolegun tonë. Në raste të këtilla sado që përpiqemi që të gjejmë fjalët më të fuqishme ngushëlluese, ato duken të pafuqishme”, tha ajo.
Rektorja theksoi se duke qenë pjesë e institucioneve të arsimit të lartë në Mitrovicë për vite të tëra dhe së fundi edhe e Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, profesor Koliqi, ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në edukimin dhe përgatitjen e kuadrove të reja në fushën e tij të mësimdhënies. “Gjenerata të tëra do ta kujtojnë punën dhe përkushtimin e profesor Koliqit”, tha ajo.
Dekani i Fakultetit të Gjeoshkencave, prof.asoc.dr. Festim Kutllovci, lexoi biografinë e profesorit të ndjerë, Koliqi. Ai vuri theksin në punën kërkimore dhe shkencore që ka lënë ai. Për të ndjerin ka folur edhe miku i tij, Bajram Mustafa, ndërsa në emër të familjes, të pranishmit i ka përshëndetur dhe falënderuar, e bija e profesorit të ndjerë, Rina Koliqi.
Në shenjë nderimi dhe respekti për jetën dhe veprën e profesorit, Afrim Koliqi, në emër të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, rektorja Shala, ka ndarë mirënjohje “Post – mortum” për ish-profesorin Koliqi, të cilën e ka pranuar e bija e tij, Rina.