Akademia

U mbajt Akademia Përkujtimore kushtuar veprimtarit, Musa Hoti

Në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM) u mbajt të martën Akademia Përkujtimore kushtuar veprimtarit, Musa Hoti, në 20 –vjetorin e vrasjes së tij. Të pranishëm ishin drejtues dhe përfaqësues të institucioneve lokale dhe qendrore, familjarë dhe mysafirë të shumtë.

Kryetari i Komunës së Mitrovicës,  Bedri Hamza, nën përkujdesjen e të cilit u organizua kjo Akademi Përkujtimore, vlerësoi lartë figurën e veprimtarit, Musa Hoti. Ndërsa për jetën dhe veprën e tij një fjalë rasti e mbajti historiani, Frashër Demaj, i cili vuri në spikamë veprimtarinë kombëtare të Musa Hotit.

Në emër të Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, një fjalë përshëndetëse e mbajti edhe kryetari, Xhavit Jashari, ndërsa familjarët falënderuan organizatorët dhe të pranishmit në këtë Akademi Përkujtimore. Në fund  u shfaq edhe një program artistik me këngë dhe poezi kushtuar veprimtarit, Hoti.