11

U mbajt Dita e Pritjes më rastin e fillimit të vitit akademik 2024/25

Në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë u mbajt të martën Dita e Pritjes me rastin e fillimit të vitit akademik 2024/25. Të pranishëm përveç rektores dhe prorektorëve, ishin edhe drejtues dhe anëtarë të Këshillit Drejtues, dekanë, prodekanë, mësimdhënës, stafi i administratës dhe studentët e rinj që janë pranuar në UIBM.

Rektorja, prof.dr. Nurten Deva, ju uroj vitin e ri akademik, studentëve dhe gjithë komunitetit universitar. Me këtë rast, ajo, shprehu mbështetjen e plotë të menaxhmentit, stafit akademik dhe administratës për studentët. “Ju po filloni një epokë të re në jetën tuaj, ju po i jepni drejtim jetës suaj, ndërsa ne jemi këtu që t’ju mbështesim atëherë kur përballeni me sfida dhe të festojmë bashkërisht për arritjet tuaja”, tha ajo.

Duke ju drejtuar studentëve, rektorja Deva, theksoi se ata kanë zgjedhur të studiojnë në një institucion akademik që ofron të gjitha mundësitë për të qenë të suksesshëm. “Stafi i kualifikuar, kampusi modern, bashkëpunimi me universitete ndërkombëtare dhe vendore, me organizata dhe biznese jashtë dhe brenda vendit, ofrojnë mundësi të shumta për ju”.

Zëvendsëskryesuesi i KD-së, prof. Avni Islami, tha se do të bëjnë krejt çka është e mundur që universiteti të zhvillohet edhe më shumë, të bëhet një institucion atraktiv dhe i suksesshëm. “Ne do të ndërmarrim të gjithë hapat e nevojshëm që ju të mund të jeni të suksesshëm”, tha ai.

Një fjalë përshëndetëse e ka mbajtur edhe kryetarja e Parlamentit Studentor, Elemedina Kurti, ndërsa në fund është zhvilluar edhe një sesion informues për studentë në lidhje me pjesën që ka të bëj me informimin në UIBM, shërbimet studentore, Bibliotekën Universitare dhe Qendrën e Zhvillimit në Karrierë, Zhvillimin e Cilësisë dhe përdorimin e SMU-së.

3
55