U mbajt Konferenca e Tretë Ndërkombëtare Multidiciplinare për Gjeoshkencë (IMGC2021)
Në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM), u mbajt të enjten Konferenca e Tretë Ndërkombëtare Multidiciplinare për Gjeoshkencë (IMGC2021). Në këtë edicion që u mbajt online për shkak të pandemisë me Covid-19 janë paraqitur gjithsej 38 punime nga vende të ndryshme si: Kanada, Norvegjia, Polonia, Sllovenia, Hungaria, Turqia, Maqedonia Veriore, Shqipëria dhe Kosova.
Në hapje të Konferencës, pjesëmarrësve ju kanë drejtuar me fjalë rasti anëtarët e Këshillit Organizativ. Kryesuesi i Këshillit Organizativ, prof.dr. Sabri Avdullahi, tha se ashtu sikur edhe në vitet e kaluara, Konferenca po ngjall interes të madh brenda vendit, rajonit dhe më gjerë. Ai falënderoi menaxhmentin e UIBM si dhe Ministrinë e Ekonomisë, Shërbimin Gjeologjik të Kosovës dhe Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Minerale për bashkëpunimin dhe kontributin e tyre për organizimin e kësaj konference.
Dekani i Fakultetit të Gjeoshkencave, prof.dr. Naser Peci, tha se zhvillimi i profesioneve të lëmisë së gjeoshkencave në Kosovë është mvarur në masë të madhe nga aktivitetet e Fakultetit Gjeoshkencave, derisa stafi i fakultetit gjatë kohës në vazhdimësi ka kontribuar në prosperitetin e këtyre profesioneve në veçanti si dhe në tërë shoqërisë në përgjithësi. “Unë shpresoj që punimet e Konferencës do të krijojnë mundësitë për të rritur shkëmbimin e njohurive dhe zbulimet e reja nga lëmia e Gjeoshkencave dhe fushat përkatëse të aplikimeve”.
Ndërsa, rektori i UIBM, prof.dr. Alush Musaj, pasi përshëndeti pjesëmarrësit dhe vlerësoi punën e Këshillit Organizativ, tha se përkundër faktit se edhe ky edicion sikur i kaluari mbahet online, nuk ka munguar interesimi i studiuesve të fushës së gjeoshkencave nga vende të ndryshme të botës. “Zhvillimi i industrisë këtu ka marrë hov pas hapjes së institucioneve të larta arsimore, duke pasur parasysh kuadrot e kualifikuara për të cilat kishte shumë nevojë. Si rrjedhojë e zhvillimit të këtyre institucioneve arsimore në Mitrovicë, pothuajse e gjithë industria minerare dhe ajo e metalurgjisë në Kosovë është mbuluar me kuadro të kualifikuara”.
Sipas rektori Musaj, përkundër sfidave nëpër të cilat kanë kaluar institucionet e arsimit të lartë në Mitrovicë, fusha e gjeoshkencave kishte një kuadër të kultivuar, që gradualisht filloi ta marr veten, për të ardhur këtu në një konferencë shkencore, ku marrin pjesë hulumtues me emër nga vende të ndryshme të botës. Para fillimit të prezantimit të punimeve, pjesëmarrësve ju ka drejtuar me nga një fjalë rasti edhe Mentor Arifaj, zëvendësministër i Ekonomisë si dhe Ramiz Krasniqi, drejtor i Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale.