Konferenca

U mbajt konferenca ndërkombëtare: Trauma dhe familja – Forcimi i mbështetjes së sistemeve në Kosovë

Organizuar nga Universiteti i Mitrovicës “Isa Boletini”, Shoqata Kosovare e Terapisë Familjare dhe Qendra për Shërbime Humane dhe Zhvillim, është mbajtur të enjten konferenca ndërkombëtare: Trauma dhe familja – Forcimi i mbështetjes së sistemeve në Kosovë. Në këtë konferencë, që u mbajt në hotelin “Sirius” në Prishtinë, ishin të pranishëm drejtues të Universitetit “Isa Boletini”, ata të Fakultetit të Edukimit, mësimdhënës dhe mysafirë nga universitete dhe insitucione të tjera të lidhura me arsimin e lartë.

Në emër të rektorit të Universitetit “Isa Boletini”, të pranishmit i ka përshëndetur prorektori për Mësim, Izet Zeqiri. Ai ka përgëzuar drejtuesit e Fakultetit të Edukimit për organizimin e kësaj konference, me  rëndësi të veçantë shoqërore. “Ju shpreh falënderime të veçanta për pjesëmarrjen dhe kontributin tuaj në këtë konferencë, duke shpresuar se do të jemi bashkë në rrugëtimet tona edhe më tutje”.

Prorektori Zeqiri, tha se universitetet janë në thelb një bazë potenciale e rëndësishme institucionale për të ndihmuar zhvillimin e shoqërisë. “Universiteti i Mitrovices “Isa Boletini”, si institucion i arsimit të lartë, ka të përcaktuar qartë kontributin e vazhdueshëm dhe cilësor në përmirësimin e shoqërisë sonë”.

Sipas tij, UMIB-i e ka parë si mjaft të rëndësishme mbështetjen e forumeve të tilla si kjo konferencë,  me qëllimin kryesor kontributin në trajtimin e çështjeve të rëndësishme për të gjithë shoqërinë. “Vitin e kaluar UMIB ka mbështetur Konferencën: Familja dhe Edukimi, ndërsa këtë vit konferencën: Trauma dhe familja”.

Për temën e konferencës kanë ligjëruar profesionistë të fushës, si profesoresha, Merita Shala, prodekane në Fakultetin e Edukimit, mandej mësimdhënës të tjerë nga Fakulteti i Edukimit etj.