U mbajt online konferenca: “Siguria e produkteve ushqimore përgjatë pandemisë COVID-19 në Kosovë”
Qendra e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në bashkëpunim me Fakultetin e Teknologjisë Ushqimore (FTU) në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB), kanë organizuar online konferencën: “Siguria e produkteve ushqimore përgjatë pandemisë COVID-19 në Kosovë”. Drejtori i kësaj qendre, Besart Hajrizi, tha se qëllimi kryesore i kësaj konference ka qenë diskutimi dhe ofrimi i informatave për sigurinë e prodhimeve ushqimore në kohën e pandemisë me COVID-19, por edhe funksionimi i kompanive prodhuese dhe joprodhuese në këto rrethana.
Rektori i UMIB-it, Alush Musaj, tha se kjo konferencë e ofron universitetin me shqetësimet e shoqërisë në këtë kohë pandemie. Ndërsa në cilësinë e ekspertit ushqimor, Musaj foli për mikroorganizmat, mënyrën e funksionimit të tyre si dhe rëndësinë e higjienës në ruajtjen dhe përgatitjen e ushqimit.
Në konferencë mori pjesë edhe Valdet Gjinovci, drejtor i Agjencionit për Ushqim dhe Veterinari. Ai foli për masat që janë ndërmarrë për parandalimin e pandemisë së shkaktuar nga COVID-19. “Në bazë të raportimeve të Autoriteti Evropian për Siguri të Ushqimit, nuk ka provë shkencore që ushqimi është burim apo bartës i virusit të njeriu”.
Gani Durmishi, kryetar i Shoqatës së Përpunuesve të Qumështit, tha se qumështarët kanë traditë sa i përket masave për higjienë. Tha se janë marrë masa për trajnimin e punëtorëve dhe fermerëve nëpër stalla për higjienën sa i përket qumështit. “Prodhimet tona janë të sigurta dhe qytetarët nuk duhet të jenë të shqetësuar sa i përket cilësisë”.
Ndërsa, Dafina Llugaxhiu, asistente në FTU, tha se problemi me virusin COVID-19 është se mbijeton në hapësira të ndryshme, prandaj është shumë me rëndësi mbajtja e higjienës dhe masave që janë këshilluar nga institucionet përkatëse. Gjithashtu ajo foli edhe për qasjen që duhet ta kenë kompanitë ushqimore, në radhë të parë për punëtorët.
Dekani FTU-së, Milaim Sadiku, në fund të konferencës vlerësoi prezantimet nga panelistët. Si rekomandime ai përmendi se produktet ushqimore nuk janë të kontaminuara nga COVID-19, patogjeni mund të përhapet nga një person në tjetrin por jo nga kafshët, mandej respektimi i masave higjieno-sanitare etj.