U mbajt “Panairi i Parë i Punës dhe Karrierës” në Universitetin “Isa Boletini”
Organizuar nga Qendra për Zhvillim të Karrierës dhe mbështetur nga GIZ-i, është mbajtur të enjten “Panairi i Parë i Punës dhe Karrierës” në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB). Në këtë aktivitetet kanë marrë pjesë kompani private, kompani publike si dhe janë prezantuar fakultetet e UMIB-it.
Në ceremoninë e hapjes së panairit, rektori i UMIB-it, Alush Musaj, falënderoi kompanitë për pjesëmarrje dhe bashkëpunim. “Bashkëpunimi ndërmjet universitetit dhe biznesit, jo që është nevojë për është imperativ. Sa më shumë që ofrohemi si botë akademike dhe si biznes aq më shumë krijohet mundësia për të qenë të suksesshëm të dyja palët. Dhe kur ne jemi të suksesshëm atëherë është e suksesshme edhe vetë shoqëria”, tha ai.
Sipas tij, UMIB-i është duke provuar që të hapet sa më shumë për biznesin, për idetë e tyre dhe për përvojën e tyre. Ai theksoi se po provojnë gjithashtu të përshtaten me kërkesat dhe nevojat e tregut, në mënyrë që studentët të jenë ta gatshëm dhe të përgatitur për trendët e reja.
Në këtë kontekst, ai përmendi se përveç programeve, kabineteve, laboratorëve që ofrohen në UMIB, një segment tepër të rëndësishëm paraqet bashkëpunimi me kompanitë publike dhe ato private në vend. Si rrjedhojë, tha se studentët mund të kryejnë praktikën në kompanitë që ndërlidhen me natyrën e studimeve, duke e zënë shpejtë hapin e teknologjisë së re.
Rektori Musaj, tha se ndërsa ngjarjet sikur “Panairi i punës dhe karrierës”, jo vetëm që e pasurojnë kalendarin e aktiviteteve universitare, por në të njëjtën kohë hapin shtigje të reja.
“Panairi i Parë i Punës dhe Karrierës” në universitetin tonë është një përvojë e re. Është një mundësi e vendosjes së komunikimit ndërmjet fakulteteve dhe biznesit dhe identifikimit të nevojave të njëri-tjetrit”.
Në emër të bizneseve foli, Gani Durmishaj nga qumështorja “Aldi”, i cili vlerësoi bashkëpunimin e mirë që kanë me UMIB-in. “Kemi vërejtur se studentët janë shumë mirë të përgatitur teorikisht, por që kanë nevojë për mbështetje për punë praktike. Jemi të hapur si biznese që të thellojmë bashkëpunimin me universitetin, ndërkohë që panairi është një mundësi e mirë e identifikimit të mundësive për bashkëpunim”.
Përfaqësuesi i GIZ-it, Rrahim Trepça, çmoi organizimin e mirë të panairit dhe premtoi vazhdimin e bashkëpunimit me UMIB-in. “Ky është hapi i parë dhe jemi të vendosur që ta thellojmë bashkëpunimin me UMIB-in në të mirë të studentëve dhe stafit akademik”.
Ndërsa, kryetari i Parlamentit Studentor, Ensar Suma, tha se panairi është një mundësi e ofrimit të studentëve me kompanitë që kanë nevojë për kuadro të fushave të ndryshme. “Padyshim se ky aktivitet shpërfaq nevojën e intensifikimit të bashkëpunimit me biznesin, për t’u përshtatur më lehtë me kërkesat e tregut të punës”, tha ai.
Panairi ka qenë një ditor dhe ka zgjuar interesimin e studentëve dhe stafit akademik, që janë bërë pjesë e kësaj ngjarjeje.