
U mbajt “Panairi i Punës dhe Karrierës”
Studentë dhe nxënës të shkollave të mesme të Komunës së Mitrovicës kanë marrë pjesë të mërkurën në “Panairin për Punë dhe Karrierë”, që u mbajt në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë. Panairi ku u prezantuan një numër i bizneseve nga Mitrovica u organizua nga Qendra për Zhvillim në Karrierë me mbështetje të GIZ-it.
Në ceremoninë hapëse, rektorja e UIBM, prof.dr. Nurten Deva, ka falënderuar të gjithë pjesëmarrësit për kontributin e tyre për organizmin e “Panairit për Punë dhe Karrierë”. Ajo tha se ky është një rast i mirë për studentët dhe për nxënësit e shkollave të mesme, që të njihen me bizneset, me punën e tyre dhe mundësitë që ato ofrojnë sa i përket punës dhe karrierës.
Një fjalë rasti në këtë ngjarje e mbajti edhe drejtori për Ekonomi, Zhvillim dhe Turizëm në Komunën e Mitrovicës, Elvis Feka, i cili foli për masat e ndërmarra sa i përket mbështetjes së bizneseve në Mitrovicë. Ai gjithashtu vlerësoi rëndësinë e ngjarjeve sikur “Panairi për Punë dhe Karrierë” për vetë bizneset, por edhe për studentët dhe të rinjtë në përgjithësi, të cilët mund të informohen për mundësitë sa i përket punës praktike dhe punësimit.
Ndërsa në emër të bizneseve, foli përfaqësuesi i InstaBuilt, Besart Hajrizi, i cili potencoi rëndësinë e ndërlidhjes dhe intensifikimit të punës dhe angazhimeve ndërmjet universiteteve, institucioneve dhe bizneseve. Të pranishmëve ju drejtua me një fjalë rasti edhe kryetarja e Parlamentit Studentor, Elmedina Kurti, e cila shprehu kënaqësinë që studentët dhe nxënësit e shkollave të mesme mund të njihen për së afërmi me perspektivën që ofron biznesi për karrierën dhe të ardhmen e tyre.