U mbajt seminari i parë mbi “Sigurinë e Ushqimit dhe Mjedisin” në sektorin e qumështit
Në kuadër të projektit “Ecodairy Kosovo”, në lokalet e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë u mbajt Seminari i parë mbi Sigurinë e Ushqimit dhe Mjedisin në Sektorin e Qumështit. Projekti “Ecodairy Kosovo” ka për qëllim përmirësimin e performancës në ambient të përpunuesve kosovar të qumështit duke i njoftuar kështu me praktikën “Efikasiteti i Burimeve dhe Prodhimi i Pastër” (EBPP) dhe për të siguruar njohuri me shembuj praktik.
Projekti është bashkëfinancuar nga Agjencia Austriake për Zhvillim (Austria) dhe “Yuniko” (Holanda). Projekti “Ecodairy” është një bashkëpunim i Shoqatës së Qumështarëve të Kosovë, Universiteti i Mitrovicës “Isa Boletini”, Universiteti i Shkencave të Aplikuara “Van Hall Dairy University Larenstein” nga Holanda dhe “Yuniko”. Në këtë seminar kanë qenë të ftuar përpunuesit e qumështit nga Kosova, Maqedonia dhe Shqipëria.
Në emër të UMIB-it, një fjalë rasti e mbajti dekani i Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore, prof. asoc. dr. Milaim Sadiku, ndërsa në emër të Shoqatës të Përpunuesve të Qumështit, foli, Gani Durmishaj. Poashtu një fjalë rasti e mbajti edhe Klass Visscher në emër të “Yunikos”.
Për rritjen e kualitetit dhe sasisë së qumështit në Kosovë si dhe gjendjes së tanishme dhe mundësitë për përmirësim e sektorit të qumështit në Kosovë, folën Zenel Bunjaku dhe Arben Hasani (IADK), ndërsa për efektin e cilësisë së qumështit në proceset e prodhimit, për mundësitë e qumështoreve për të përmirësuar kualitetin e qumështit prodhuar nga fermat etj, foli, Sjaak van Burgsteden (Van Hall Dairy University).
Në seminar u trajtuan edhe tema të tjera, si sistemi HACCP mbi sigurinë e ushqimit me fokus në aplikimin e sistemit në qumështoret e Kosovës, tarifat dhe politikat e reja të Kosovës për ujërat e zeza dhe sfidat e se ardhmes, efektet ekonomike mbi qumështoret kur ato paguajnë për shkarkimin e tyre, përmirësimi i proceseve të prodhimit në qumështore etj.