U mbajt sesioni informues i organizuar nga Erasmus+
Profesorë dhe studentë kanë marrë pjesë të hënën në sesionin informues të organizuar nga Zyra Erasmus+ në Kosovë në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB). Zyrtarët e Erasmus+, i njoftuan të pranishmit për procedurat e aplikimit në këtë program, duke bërë të ditur se thirrja e aplikimit për vitin 2020 tashmë është hapur.
Të pranishmit i përshëndeti prorektori për Marrëdhënie me Jashtë, Behxhet Shala, i cili falënderoi zyrtarët e Erasmus+ për organizimin e këtij sesioni informues. Ai e vlerësoi këtë si një mundësi të mirë për profesorët dhe studentët e UMIB-it.
Sipas tij, programi Erasmus+ në Kosovë ka hapur shtigje të mëdha për universitetet, sa i përket projekteve që lidhen me arsimin e lartë. “Projektet në të cilat kemi qenë pjesë e tyre, janë treguar të suksesshme dhe si të tilla kanë kontribuar për institucionet tona”, tha ai.
Ai tha se ky program ka ofruar mundësi të mëdha, që nuk janë shfrytëzuar sa duhet. Në këtë kontekst, Shala, kërkoi mobilizim shumë më të madh, për të qenë sa më afër dhe sa më të përkushtuar për të përfituar projekte qoftë si bartës qoftë si partner.
Prorektori Shala, i inkurajoi të gjithë, profesorë apo studentë që të përfshihen sa më tepër në këtë program që organizohet nga ERASMUS+ dhe që është edhe si udhërrëfyes për të përfituar projekte. “Kjo është një rrugë që na zhvillon edhe si institucion por edhe si botë akademike, prandaj nuk duhet ta neglizhojmë për asnjë moment”.