U mbajt sesioni informues për mundësitë e bashkëpunimit në kuadër të “Erasmus+”
Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë do të intesifikoj bashkëpunimin me programin “Erasmus+”, në mënyrë që studentët dhe mësimdhënsit të përfitojnë nga projektet e përbashkëta. Për këtë u dakorduan rektori, Alush Musaj dhe koordinatorja e programit “Erasmus+”, Remzije Istrefi, e cila të premten vizitoi Universitetin “Isa Boletini” në kuadër të një sesioni informues të këtij programi.
Rektori Musaj, e falënderoi koordinatoren Istrefi për bashkëpunimin e deritanishëm që ka qenë jashtëzakonisht i frytshëm. “Ne jemi të përkushtuar që bashkëpunimi të thellohet edhe më tej, në mënyrë që Universiteti ynë të jetë pjesë e sa më shumë projekteve në fushën akademike”.
Koordinatorja Istrefi ka zhvilluar një takim edhe me prorektorin Izet Zeqiri dhe dekanin e Fakultetit Ekonomik, Besart Hajrizi, ku u bisedua për projekte specifike, në kuadër të të cilave mund të bëhet pjesë edhe Universiteti “Isa Boletini”. Ajo gjithashtu takoi edhe studentët, me të cilët bisedoi për mundësinë e mobiliteteve dhe shumë mundësi të tjera që ofron programi “Erasmus+”.
Ndërsa në sesionin informues stafin akademik dhe atë administrativ, u diskutua edhe për mundësite e aplikimit në projekte të përbashkëta, mandej inicimin e programeve të përbashkëta studimore me universitet tjera evropiane ne nivele të ndryshme studimi (bachelor, master dhe PhD) si dhe mundësite e përkrahjes se tyre.
Ajo gjithashtu prezantoi edhe mundësitë për mobilitetin e stafit akademik dhe studentëve në universitet evropiane dhe e kundërta, për rolin dhe rëndësinë e aktiviteteve Jean Monnet si dhe mënyrën e aplikimit dhe të implementueshmërise së projekteve të “Erasmus+” .