U mbajt simpoziumi për nder të “Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Fëmijëve”
Në Fakultetin e Edukimit në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë është mbajtur të hënën simpoziumi i organizuar në nder të “Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Fëmijëve”. Panelistë në këtë simpozium ishin: dekanja e Fakultetit të Edukimit, prof.asoc.dr. Samire Bllaca, dekani i Fakultetit Juridik, prof.asoc.dr. Islam Qerimi, drejtoresha e Shkollës Fillore “Çajupi”, Melihate Meha, mandej Shemsije Shyti, mësuese dhe Albina Musliu, psikologe.
Simpoziumin e hapi prof.ass. Hatixhe Gashi, e cila tha se qëllimi i këtij organizimi është që të analizohen sfidat aktuale dhe shqyrtimi i mundësive për të përmirësuar mënyrën si shoqëria trajton dhe respekton të drejtat e fëmijëve. “Brenda këtij simpoziumi do të mundohemi të bëjmë një analizë të situatës aktuale të të drejtave të fëmijëve në nivel ndërkombëtar dhe lokal, identifikimin e sfidave aktuale dhe çështjet emergjente që kanë ndikim në të drejtat e fëmijëve në shtetin tonë, rolin e arsimit në ndërgjegjësimin dhe promovimin e të drejtave të fëmijëve, projekte dhe iniciativa të suksesshme për integrimin e temave të të drejtave të fëmijëve në sistemet arsimore, diskutim mbi strategjitë për mbrojtjen e fëmijëve nga format e ndryshme të dhunës dhe diskriminimit si dhe përvojat e suksesshme dhe sfidat në zbatimin e legjislacionit per mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve”.
Dekanja e Edukimit, prof.asoc.dr. Samire Bllaca, falënderoi panelistët për gatishmërinë e tyre që të bëhen pjesë e simpoziumit si dhe të gjithë pjesëmarrësit tjerë. Ajo theksoi se diskutimet nga profesionistë të fushave të ndryshme sa i përket të drejtave të fëmijëve e pasurojnë këtë simpozium.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin edhe disa mësimdhënës të Fakultetit të Edukimit si dhe një numër studentësh, të cilët u bënë pjesë e diskutimeve për temën bosht.