U mbajt tryeza: “Përmbytjet dhe shkaktarët e tyre në Kosovë”
Organizuar nga Fakulteti i Gjeoshkencave (FGJ) në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM), u mbajt të premten tryeza: “Përmbytjet dhe shkaktarët e tyre në Kosovë”. Përveç drejtuesve, mësimdhënësve dhe studentëve të FGJ-së si dhe njësive tjera akademike në UIBM, ishin të pranishëm edhe drejtues dhe përfaqësues të institucioneve lokale e qendrore.
Tryezën e hapi dekani i FGJ-së, prof.dr. Naser Peci, i cili i falënderoi pjesëmarrësit në këtë aktivitet për të trajtuar një temë aktuale sikur vërshimet, me të cilat u përballën shumë qytete të Kosovës këto ditë. Ai theksoi se trajtimi shkencor i kësaj problematike ka një rëndësi të veçantë për shoqërinë në përgjithësi dhe për institucionet veç e veç.
Në tryezë si panelistë kanë folur: Prof.dr. Behxhet Shala e prof.sc.dr. Sabri Avdullahi nga FGJ-ja, Sylejman Latifi nga Autoriteti Rajonal i Pellgjeve Lumore (ARPL), Bashkim Kastrati nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) dhe Bahtir Maxhuni, drejtor për Mbrojtje dhe Shpëtim nga Komuna e Mitrovicës. Në fund është zhvilluar edhe një diskutim i hapur nga të pranishmit.