Tryeza

U mbajt tryeza “Tërmetet, zonat sizmike dhe aktiviteti sizmik në Kosovë”

Organizuar nga Fakulteti i Gjeoshkencave në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB), u mbajt tryeza me titull “Tërmetet, zonat sizmike dhe aktiviteti sizmik në Kosovë”.  Në tryezë përveç mësimdhënësve dhe studentëve të UMIB-it, ishin të pranishëm edhe përfaqësues nga Instituti Sizmologjik i Kosovës, Shërbimi Gjeologjik i Kosovës si dhe  Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale.

Fillimisht në tryezë u mbajtën dy prezantime për temën e shtruar. Profesori, Gani Maliqi, foli për tërmetet dhe aktivitetin sizmik në Kosovë, ndërsa dr.sc. Shemsi Mustafa,  prezantoi punën dhe veprimtarinë e Institutit Sizmologjik të Kosovës.

Pas këtyre prezantimeve, tryeza vazhdoi me pjesën e diskutimeve  për aktivitetin sizmik në Kosovë. Gjithashtu theks i veçantë ju kushtua edhe tërmetit të vitit të kaluar në Shqipëri, ku u shkaktuan shumë viktima dhe dëme të mëdha materiale.

 Pjesëmarrësit në këtë tryezë e vlerësuan këtë si një aktivitet që ka ngjallur interesim te ekspertët e kësaj fushe dhe poashtu edhe të studentëve. Dekani i FGJ-së, Naser Peci, falënderoi prezantuesit dhe të gjithë ata që morën pjesë për kontributin e tyre.

Sipas tij, tryeza është organizuar me qëllim që të ofroj mundësi për ekspertët që të thonë fjalën e tyre sa i përket tërmeteve dhe aktivitetit sizmik në Kosovë.