U mbajtën provimet pranuese në UIBM
Janë mbajtur të mërkurën provimet pranuese për kandidatët që kanë aplikuar në konkursin e shpallur për pranimin e studentëve në vitin e parë (bachelor) në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM) për vitin akademik 2022/23. Në 11 programe të akredituara në kuadër të 6 fakulteteve, kanë aplikuar gjithsej 625 kandidatë.
Interesimi më i madh si zakonisht ka qenë për programet shoqërore: Edukim, Juridik dhe Ekonomik, por edhe për programet në kuadër të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike dhe Kompjuterike, përderisa më pak për Teknologji Ushqimore dhe Gjeoshkenca. Për vendet që nuk do të plotësohen do të hapet afati i dytë i konkursit pranues.
Rektori i UIBM, prof.dr. Alush Musaj, ka vizituar sallat ku janë zhvilluar provimet pranuese dhe ka uruar kandidatët që ju kanë nënshtruar provimeve. Ai ka theksuar se UMIB ofron programe atraktive që janë të kërkuara në tregun e punës si dhe një kampus modern.