Provimet

U mbajtën provimet pranuese për studentë

Janë mbajtur të enjten provimet pranuese në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë, ku gjithçka ka kaluar mirë dhe pa ndonjë problem. Prorektori, Ali Sadiku, ka bërë një vizitë në sallat ku janë mbajtur provimet, ku është ndarë i kënaqur me organizimin dhe mbarëvajtjen e gjithë procesit.

Ndryshe në konkursin e shpalluar për pranim të studentëve të rinj për vitin akademik 2018/19, kanë aplikuar gjithsej 1142 kandidatë. Interesimi më i madh si zakonisht ka qenë në Fakultetin e Edukimit ku kanë aplikuar gjithsej 660 kandidatë.

Interesim të mirë ka pasur edhe për Fakultetin Juridik, ku kanë aplikuar 234 kandidatë. Në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike dhe Kompjuterike kanë aplikuar 164 kandidatë, në Fakultetin e Teknologjisë Ushqimore 62 dhe në Fakultetin e Gjeoshkencave 22 kandidatë.

Në bazë të vendimit të Senatit, sipas propozimit të njësive akademike, në vitin akademik 2018/19 (niveli bachelor) në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB), do të pranohen 1181 studentë. Të gjithë do të jenë studentë të rregullt, meqë në Universitetin “Isa Boletini” nuk ka studime me korrospondencë.