U nënshkrua marrëveshja për Qendrën e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë
Rektori i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, prof.dr.Alush Musaj dhe ministri për Inovacion dhe Ndërmarrësi, Besim Beqaj, nënshkruan të hënën memorandumin e mirëkuptimit për hapjen e Qendrës së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë. Për këtë qëllim në Universitetin ‘Isa Boletini” u organizua një ceremoni ku morën pjesë edhe kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ministri për Financa, Bedri Hamza, përfaqësues të biznesit, shoqërisë civile, stafi akademik, studentë etj.
Rektori Musaj, ju uroi mirëseardhje mysafirëve në kampusin e ri universitar dhe i falënderoi ata për praninë e tyre në një ngjarje të shënuar për Universitetin. “Është një ndjenjë e veçantë që jemi bashkë sot në këto ambiente moderne universitare, të cilat janë ngritur me fondet e Republikës së Kosovës”.
Ai theksoi se hapja e Qendrës së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në Universitetin “Isa Boletini” është tepër me rëndësi për studentët, stafin akademik dhe biznesin. “Ky është një lajm i mirë jo vetëm për Universitetin “Isa Boletini”, por edhe për Mitrovicën dhe rajonin tonë, meqë Qendra e Inovacionit do të jetë në shërbim të të gjithëve”, tha ai.
Sipas tij, ajo do ta shndërroj universitetin në një qendër zhvillimi për kuadrot e reja dhe për zhvillimin e biznesit. “Kjo njëherit paraqet edhe mënyrën më të mirë të bashkëpunimit ndërmjet universitetit dhe biznesit, duke e jetësuar edhe vizionin tonë sa i përket të ardhmes së Universitetit “Isa Boletini””.
Rektori Musaj, tha se ashtu si projekti për kampusin e ri universitar, që i ka dhënë shpirt Mitrovicës, ashtu edhe Qendra e Inovacionit do t’i jap shpirt universitetit. “Këto projekte reflektojnë vizionin e njerëzve që dinë dhe duan ta zhvillojnë Mitrovicën. Me këtë rast duam të falënderojmë të gjithë ata që kanë punuar dhe kanë mbështetur këto projekte madhore”.
Në këtë kontekst, ai falënderoi kryetarin e Kuvendit të Kosovës, z. Kadri Veseli, për mbështetjen sa i përket zhvillimit të inovacionit në universitet, mandej ministrin Beqaj për projektin e Qendrës së Inovacionit si dhe ministrin, Bedri Hamza, për mbështetjen e vazhdueshme për projektet që lidhen me universitetin dhe me Mitrovicën.
Duke ju drejtuar të pranishmëve, ai tha se inaugurimi i Qendrës së Inovacionit, po ndodh në këto ditë kur Universiteti i Mitrovicës “Isa Boletini” shënon 6-vjetorin e themelimit. “Ky është urimi më i mirë për studentët dhe mësimdhënësit tanë. Më lejoni t’ju uroj të gjithëve këtë përvjetor dhe Qendrën e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, duke besuar thellë në suksesin tonë të përbashkët”.
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, uroi drejtuesit, stafin akademik dhe studentët për kampusin e ri universitar dhe për hapjen e Qendrës për Inovacion dhe Ndërmarrësi. Theksoi se inovacioni është e ardhmja e Kosovës.
Për Qendrën e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë dhe ndikimin e saj në zhvillimin ekonomik folën edhe ministrat Beqaj e Hamzaj, të cilët e vlerësuan si një mundësi jashtëzakonisht të mirë për studentët dhe Mitrovicën.