U përuruan pajisjet e reja në laboratorët e Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore
Kryesuesi i Këshillit Drejtues, Ali Topalli, rektori, Alush Musaj dhe dekani i Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore (FTU), Milaim Sadiku, kanë përuruar të premten pajisjet e reja në laboratorët e këtij fakulteti. Në këtë aktivitet që u mbajt në kuadër të shënimit të 8-vjetorit të themelimit të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM), ishin të pranishëm edhe prorektorët, një numër mësimdhënësish dhe studentë.
Rektori Musaj, shprehu kënaqësinë për këto investime që do të krijojnë mundësi shumë të mira për studentët. “Përveç investimeve në kampus, investimet për krijimin e kushteve për punë praktike do të ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen profesionale të studentëve”, tha ai.
Ndërsa, dekani i FTU-së, Milaim Sadiku, falënderoi menaxhmentin për mbështetjen sa i përket projekteve që lidhen me laboratorët. “Kemi pajisje moderne, të cilat do të shërbejnë për punën praktike të studentëve tanë, duke i përgatitur ata për tregun e punës”.
Pas ceremonisë së përurimit të pranishmit kanë vizituar laboratorët ku janë vendosur pajisjet e reja.