1.

U prezantua raporti i HERAS-it “Vlerësimi bazë” për UIBM

Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM) është në rrugë të mbarë të zhvillimit dhe arritjes së standardeve që e bëjnë një institucion kredibil akademik. Kështu u vlerësua të premten me rastin e prezantimit të raportit “Vlerësimi bazë” të përgatitur nga ekspertët e HERAS-it.

Fjolla Kaçaniku, eksperte e angazhuar në këtë projekt, tha se në përgatitjen e vlerësimit për UIBM janë marrë për bazë shtatë fusha: 1. Planifikimi dhe orientimi strategjik, 2. Sigurimi dhe përmirësimi i cilësisë, 3. Marrëdhëniet ndërkombëtare dhe mobiliteti, 4. Zhvillimi i kërkimit dhe inovacioni, 5. Mësimdhënia dhe të nxënit, 6. Rëndësia e lidhjes me tregun e punës dhe 7. Dimensionet gjinore dhe të drejtat e njeriut.

Sipas saj, në të gjitha fushat është vërejtur përmirësim i ndjeshëm që tregojnë për punë dhe angazhim në këtë institucion akademik. “Për të gjitha fushat e hulumtimit janë dhënë vlerësimet dhe rekomandimet në raportin e përgatitur”, tha ajo.

Rektori i UIBM, prof.dr. Alush Musaj, falënderoi përfaqësuesit e HERAS-it për mbështetjen e vazhdueshme që po ofrojnë. “Jemi shumë të kënaqur me bashkëpunimin që kemi me HERAS-in dhe gjithashtu vlerësojmë Raportin “Vlerësimi bazë” që është përgatitur për UIBM”.

Një fjalë rasti e ka mbajtur edhe udhëheqësja e Zyrës austriake për zhvillim dhe bashkëpunim, Sandra Horina dhe udhëheqësi i projektit HERAS, Aqim Emurli, përderisa me nëpërmjet videolidhjes ka folur për projektin edhe Louise Sperl nga WUS Austria. Ndërsa, prorektorja për Mësimdhënie, Çështje të Studentëve dhe Zhvillim të Cilësisë, mbajti një fjalë rasti për Bashkëpunimin midis UMIB dhe HERAS + përmes “Earmared Fund”.

Në fund rektori Musaj dhe udhëheqësi i projektit HERAS, Aqim Emurli, nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi ndërmjet UIBM dhe HERAS-it.

 

1.