U prezantuan mundësitë që ofron projekti “HERAS”
Një grup studentësh nga Universiteti “Isa Boletini”, në Mitrovicë kanë marrë pjesë të mërkurën në prezantimin e projektit “HERAS” – Higher Education, Research and Applied Science in Kosovo (Arsimi i Lartë, Hulumtimi dhe Shkencat e Aplikuara në Kosovë). Përveç studentëve në këtë prezantim për këtë projekt që realizohet në bashkëpunim në mes Agjencisë Austriake për Zhvillim (ADA – Austrian Development Agency) dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Kosovë, ishte i pranishëm edhe prorektori për Mësimdhënie, Çështje të Studentëve dhe Kërkime Shkencore, Izet Zeqiri si dhe mësimdhënës dhe drejtues të Fakultetit të Edukimit.
Studentët dhe mësimdhënësit u njoftuan se projekti do të zgjasë tri vjet dhe synon të ndihmojë në ngritjen e cilësisë në universitetet publike. U tha se qëllimi i tij është të kontribuojë në zhvillimin e arsimit të lartë, stimulimit të punës kërkimore- shkencore brenda universiteteve dhe orientimit të të rinjve në fushën e shkencave aplikative, për të ndihmuar zhvillimin socio-ekonomik të vendit.
Prorektori Zeqiri, tha se kjo është një mundësi e mirë që duhet të shfrytëzohet nga studentët dhe mësimdhënësit. “Ne jemi duke u angazhuar shumë që të krijojmë sa më shumë mundësi për studentët dhe mësimdhënësit tanë, për ngritjen e tyre profesionale”, tha ai.
Ndryshe projekti HERAS është i adresuar për tri nivele, atë të politikave, të universiteteve dhe nivel kërkimor. Kjo synohet të arrihet nëpërmjet investimit në bursa për doktoratë dhe post-doktoratë, projektet e përbashkëta kërkimore dhe partneritetet midis institucioneve të arsimit të lartë kosovar dhe austriak
Të drejtë aplikimi kanë të gjitha universitet publike dhe konkursi për aplikim tashmë është i hapur online. Për më shumë informata dhe shkarkim të aplikacioneve për secilën fushë mund të shfrytëzohet www.herakosovo.org.