U promovua libri i ish-presidentit, Bamir Topi, “Betejat e humbura të Tiranës”
Organizuar nga Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM) është promovuar të premten libri “Betejat e humbura të Tiranës”, me autor, ish-presidentin e Shqipërisë, Bamir Topi. Në promovim ishin të pranishëm edhe rektorë nga universitetet tjera publike, profesorë, studentë si dhe dashamirës të librit.
Rektori i UIBM, prof.dr. Alush Musaj, falënderoi autorin e librit që ka zgjedhur këtë mjedis akademik për promovimin e librit të tij. “Vetë prania juaj sot këtu është ngjarje për universitetin tonë, ndërsa promovimi i librit tuaj është një mundësi më shumë për ne të gjithë dhe veçanërisht për studentët që të komunikojnë me ju dhe me Tiranën nëpërmjet librit tuaj”.
Sipas tij, Tirana, Shkodra, Kruja…, vazhdojnë të tingëllojnë magjishëm edhe në rrethanat e reja të krijuara në Kosovë. “Duke filluar nga vetë titulli intrigues i librit “Betejat e humbura të Tiranës”, bëhemi kureshtar të kalojmë kaptinat e tij që kanë kapur momente kyqe të rrugëtimit të kryeqytetit shqiptar”.
Për librin foli, Ahmet Jashari, drejtor për Informim dhe Komunikim me Publikun në UIBM. Sipas tij, “Betejat e humbura të Tiranës”, është një monografi e llojit të veçantë për Tiranën. “Është libër për Tiranën nga një tiranas, që e përjeton Tiranën për çdo ditë. Si rrjedhojë ai e sheh më ndryshe këtë qytet, i cili ka kaluar 100 vjet si kryeqytet i Shqipërisë”.
Sipas tij, autori sfidon historinë e konstruktuar të këtij qyteti nga elitat politike. “Cilat janë betejat e humbura të Tiranës? Pse një titull i tillë? Humbja e identitetit kulturor dhe shoqëror të një qyteti që shërben si kryeqendër e shtetit që një shekull është frika e autorit”, tha ai, duke shtuar se autori vë në shënjestër konstruktet politike që kanë atakuar vlerat e vërteta të këtij qyteti gjatë gjithë kohës.
Jashari potencoi se autori nuk e fsheh lidhjen emocionale me qytetin e tij, madje ai e ndjen si një lloj amaneti përpjekjen për ta ruajtur Tiranën e vërtetë dhe vlerat e vërteta që vazhdojnë të cenohen nga ata që do duhej ta ruanin. “Në këtë kontekst, libri “Betejat e humbura të Tiranës”, është një betejë e fituar e autorit për Tiranën”.
Me një fjalë rasti të pranishmëve ju drejtua edhe autori i librit, Bamir Topi, i cili fillimisht shprehu mirënjohjen për organizimin e promovimit në Universitetin “Isa Boletini”. “Është kënaqësi kur shoh ndryshimin e madh që ka ndodhur prej herës së fundit që kam qenë në këtë mjedis akademik. Shoh një kampus modern dhe jam shumë i lumtur”.
Topi foli për motivet që e kanë shtyrë të shkruaj librin, duke vënë theksin te momente të ndryshme politike në radhë të parë, që kanë prodhuar një qasje aspak korrekte ndaj vlerave të mirëfillta tiranase.