U promovua libri: “Kujtesa e Trepçës – 100 rrëfime të ish – punëtorëve të Trepçës”
Në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM) është promovuar të mërkurën libri: “Kujtesa e Trepçës – 100 rrëfime të ish – punëtorëve të Trepçës”, realizuar në bashkëpunim me Departamenti i Antropologjisë / UP dhe përkrahur nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë dhe Trepça Sh.A. Libri dokumenton historinë dhe jetën sociale e kulturore të përjetuar nga ish -punëtorët e Trepçës, e shpalosur përmes rrëfimeve të tyre, dhe do t’i shërbejë qytetit të Mitrovicës dhe vendit në përgjithësi.
Në promovim ishin të pranishëm drejtues dhe përfaqësues të institucioneve, ish-minatorë dhe personalitete e mysafirë të jetës publike. Një fjalë rasti në cilësinë e mikpritësit e ka mbajtur rektori i UIBM, prof.dr. Alush Musaj, i cili ka përgëzuar ekipin për punën e bërë.
Rektori Musaj tha se ngjarjet si kjo e pasurojnë jetën e një institucioni sikur që është universiteti. “Trepça” dhe minatorët përfaqësojnë identitetin mitrovicas. Jeta në këtë qytet ka nisur dhe është zhvilluar përreth minierës. Në ndërkohë edhe jeta akademike në Mitrovicë ka qenë e ndërlidhur ngushtë me “Trepçën””, tha ai.
Duke qenë një histori në veti, sipas tij, nisma për mbledhjen e rrëfimeve nga ish – minatorët e “Trepçës”, është një projekt për të ruajtur kujtesën tonë kolektive, të cilën jo rrallë kemi ditur ta injorojmë. “Ish – minatorët kanë krijuar histori që shpërfaq në të njëjtën kohë edhe historinë e vendit tonë në përgjithësi”, tha ai.
Një fjalë përshëndetëse e ka mbajtur edhe nënkryetari i Komunës së Mitrovicës, Arian Tahiri, mandej Greta Avdyli, asistente në UP, Lulzim Hoti, drejtor ekzekutiv në 7 Arte, Bajram Mustafa, ish – punëtor i Kombinatit “Trepça” dhe dr. Arsim Canolli, profesor në Departamentin e Antropologjisë në UP.