Promovimii

U promovua libri “Qeverisja e Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore (1939-1944)”, i autorit Gjet Ndoj

Në  Universitetin “Isa Boletini” në  Mitrovicë  (UIBM) u promovua të  shtunën libri “Qeverisja e Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore (1939-1944)”, me autor, historianin, ish-drejtorin e Arkivit të Shqipërisë, Gjet Ndoj. Libri sjell dokumente  të pabotuara ndonjëherë që ndriçojnë ndër të  tjera edhe rolin e nacionalistëve mitrovicas në ribërjen e Shqipërisë.

Të  pranishëm në  këtë  ngjarje të  shënuar në  UIBM ishin historianë, profesorë, personalitete të  jetës publike dhe kulturore si dhe dashamirës të  librit. Profesori Nexhmedin Spahiu, i cili e moderoi këtë  promovim, theksoi se ky është  një  botim i veçantë  që  përmbys shumë  teza historike që  kanë  të  bëjnë  me periudhën e Luftës së  Dytë  Botërore në  Shqipëri.

Vetë  autori i librit, Gjet Ndoj, shprehu kënaqësinë  që  libri i tij po promovohet në  Mitrovicë , prej ku kanë  dalur figura të  shquara kombëtare. Ai theksoi se për këtë  libër ka kaluar nëpër 2 mijë  dokumente të  ndryshme arkivore, ndërsa 600 janë  edhe referencë  e librit. “Libri përmban dokumente të  pabotuara ndonjë herë  që përmbysin historinë  e ndërtuar nga ideologjia komuniste për periudhën e Luftës së  Dytë  Botërore”.

Në  këtë  kontekst, ai ceku se libri zbardh rolin e shumë  figurave të  historisë  kombëtare që  ishin anatemuar nga ideologjia komuniste. “Vlen të  përmenden edhe të  dhënat për figura të  shquara kombëtare që  vijnë  nga Mitrovica, të  cilat janë  pjesë  e librit, sikur që  është  rasti me Xhafer Devën”, tha ai.

Promovimi i këtij libri ka zgjuar edhe kërshërinë  e të  pranishmëve, të  cilët kanë  shtruar pyetje të  ndryshme që  ndërlidhen  me periudhën e Luftës së  Dytë  Botërore në  Shqipëri, duke përfshirë  edhe trojet shqiptare që  kishin mbetur jashtë  kufijve të  shtetit.