Promovimi

U promovua monografia: “Selim Spahiu – flakadan i diturisë arsimore”, e autorit, Fazli Hajrizi

Në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM) u promovua të mërkurën monografia: “Selim Spahiu – flakadan i diturisë arsimore”, me autor profesorin, Fazli Hajrizi. Të pranishëm në këtë promovim përveç drejtuesve të UIBM, ishin edhe shumë personalitete të jetës kulturore dhe shoqërore në vend.

Rektori i UIBM, prof.dr. Alush Musaj, falënderoi organizatorët që kanë zgjedhur Universitetin për organizimin e këtij promovimi, duke mbledhur personalitete të shquara gjithandej vendit. “Ndjehemi të nderuar me praninë tuaj dhe gjithsesi  me veprën që promovohet sot këtu, kushtuar një figure të shquar të jetës arsimore, një patrioti dhe një përparimtari të kohës, siç ka qenë Selim Spahiu”.

Rektori Musaj, tha se kultivimi i ndjenjës së mirënjohjes dhe respektit për njerëzit tanë, për ata që kanë hapur shtigjet e edukimit të gjeneratave të tëra dhe që kanë kontribuuar në zhvillimin e përgjithshëm të shoqërisë, mbetet detyrë dhe obligim. “Duke promovuar këtë monografi për Selim Spahiun, ne nderojmë gjenerata të tëra personalitetesh të kombit tonë, të cilët kanë dhënë  shumë. por janë anatemuar e harruar”, tha ai.

Për librin folën redaktori, Daut Demaku dhe recensentja, prof.dr. Sala Ahmeti, ndërsa një fjalë përshëndetëse e mbajti edhe ish – presidenti, Fatmir Sejdiu. Në emër të familjes foli ish – ambasadori, Avni Spahiu, ndërsa autori i monografisë, Fazli Hajrizi, falënderoi të gjithë ata që e kanë mbështetur në realizimin e kësaj vepre.