Promovimi

U promovuan tri vepra të Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani” në Suedi

Në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM) janë përuruar të dielën tri vepra të Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani” në Suedi. Të pranishëm në këtë ngjarje ishin një numër i madh mysafirësh nga mërgata dhe  personalitete të jetës publike në Kosovë.

Në emër të UIBM të pranishmit i përshëndeti, Ahmet Jashari, drejtor për Informim dhe Komunikim me Publikun,  i cili përgëzoj kryetarin e Shoqatës, z. Hysen Ibrahimi, dhe të gjithë anëtarët e shoqatës për këtë promovim dhe për punën e tyre. “Është ndjenë jashtëzakonisht e mirë kur shohim punën tuaj duke promovuar kulturën shqiptare gjithandej”.

Jashari theksoi se mërgata vazhdon të mbetet një shtyllë e fuqishme e kombit si e tillë është shndërruar edhe në ambasadorin më të mirë për kombin. “Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani” në Suedi, është shndërruar në model për diasporën tonë. Veprat, aktivitetet, takimet, organizimet e kanë nxjerrë në pah anën tjetër të medaljes për shqiptarët që jetojnë në Suedi dhe në perëndim në përgjithësi”, tha ai.

Ndërsa, kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani” në Suedi, Hysen Ibrahimi, falënderoi të pranishmit që janë bërë pjesë e këtij promovimi. Ai potencoi se shqiptarët në perëndim duhet të fokusohen në kultivimin dhe promovimin e kulturës nëpërmjet librave.

Për Shoqatën foli edhe veprimtari, Halit Barani, i cili vlerësoi punën e mirë dhe angazhimin e saj në Suedi sa i përket kulturës shqiptare. Në fund një panel i përbërë nga  shkrimtarë, poetë, veprimtarë etj., folën edhe për librat që ishin zgjedhur për promovim.