1.

U shënua 12- vjetori i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë

Me një manifestim madhështor që u mbajt të enjten në Sallën e Rektoratit, u shënua 12 -vjetori i themelimit  të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM). Përveç drejtuesve, mësimdhënësve, studentëve dhe zyrtarëve të administratës së UIBM, në këtë organizim ishin të pranishëm edhe përfaqësues të Komunës së Mitrovicës, drejtorë dhe nxënës të shkollave të mesme.

Fillimisht të pranishmëve ju drejtua rektorja, prof.dr. Nurten Deva, e cila shprehu mirënjohjen dhe falënderimin e saj për të gjithë ata që kanë qenë pjesë e rrugëtimit të suksesshëm të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë. “Brenda 12 viteve kemi përjetuar një ndryshim të madh. Jetën e këtij institucioni e kemi nisur në hapësirat e improvizuara të “Trepçës”, pa kushte, me pak staf, por me pasion dhe vullnet të madh. Dhe pas 12 vjetësh duket një histori e tërë”, tha ajo.

Rektorja Deva, shprehu mirënjohjen e saj edhe për gjeneratat e mësimdhënësve dhe të gjithë atyre që kanë qenë pjesë  e institucioneve akademike në qytetin buzë Ibrit prej vitit 1961, kur është themeluar Shkolla e Lartë Teknike. “Tradita akademike padyshim se na ka ndihmuar që ne të konsolidohemi shumë shpejtë, prandaj sot mund të mburremi me studentët tanë, me sukseset e tyre jashtë dhe brenda vendit”.

Ajo prezantoi para të pranishmëve edhe statistika lidhur me numrin e diplomimit të studentëve gjatë këtyre 12 viteve. “Prej themelimit e deri me tani në të dy nivelet, pra baçelor dhe master, kanë diplomuar gjithsej 2414 studentë. Në nivelin baçelor kanë diplomuar gjithsej 2029 studentë, prej tyre 1364 femra dhe 665 meshkuj, ndërsa në nivelin master kanë diplomuar gjithsej 385 studentë, prej tyre 207 femra dhe 178 meshkuj”, tha ajo.

Një fjalë rasti e mbajti edhe drejtoresha e Arsimit në Komunën e Mitrovicës, Drita Kadriu. Ajo uroi drejtuesit dhe studentët e UIBM për këtë përvjetor, duke inkurajuar ata për të vazhduar me vendosmëri zhvillimin e këtij institucioni të arsimit të lartë në qytetin e minatorëve.

Për ta bërë një rikapitullim të 12 viteve të këtij institucioni, në pjesën e dytë të programit, u paraqitën para të pranishmëve studentë dhe ish-studentë, të cilët janë dalluar me sukseset dhe arritjet e tyre, duke u bërë ambasadorë të UIBM. Para të pranishmëve dolën Melisa Bruqi, ish-studente e Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore, Rozafa Hajrizi,  studente e Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike dhe Kompjuterike, Sevdije Zeqiri, ish-studente e  Fakultetit Ekonomik, Diellza Preteni, ish-studente e Fakultetit të Edukimit, ndërsa Albulena Uka, ish-studente e Fakultetit Juridik, tani profesoreshë në Nju Jork, u paraqit nëpërmjet një video-xhirim.

Programi u përmbushë edhe me dy instrumentale muzikore me violinë nga studentja e Fakultetit të Edukimit, Laureta Dobërdoli.