U shënua 50 -vjetori i Fakultetit të Xehetarisë dhe Metalurgjisë
Në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM) u shënua të shtunën 50 – vjetori i Fakultetit të Xehetarisë dhe Metalurgjisë (FXM), ku ishin të pranishëm drejtues të UIBM si dhe ish-dekanë, profesorë dhe studentë të FXM. Njëkohësisht ishte edhe takimi i nëntë me radhë i studentëve të FXM, të cilët janë organizuar dhe mblidhen për çdo vit.
Pas shfaqjes së një filmi dokumentar kushtuar FXM-së, të përgatitur nga Ismail Smakiqi, njëri nga studentët e asaj kohe, që solli video dhe fotografi të rralla të momenteve të ndryshme që ndërlidhen me rrugëtimin e këtij fakulteti, me një fjalë rasti të pranishmëve ju drejtua rektorja e UIBM, prof.dr, Nurten Deva, e cila fillimisht ju uroi 50-vjetorin e FXM-së. Ajo tha se është ndjenjë e jashtëzakonshme, të jesh pjesë e një takimi me ish-studentë të gjeneratave të ndryshme të FXM-së.
Rektorja Deva, tha se ata duhet të jenë krenar me veten, meqë rrugëtimi ka qenë i suksesshëm. “Ne dhe Universiteti “Isa Boletini” jemi krenar me ju dhe mirënjohës për kontributin tuaj”, theksoi ajo, duke shtuar se UIBM është meritë e të gjithë atyre që kanë qenë pjesë e institucioneve të arsimit të lartë në Mitrovicë.
Më gjerësisht për etapat e zhvillimit të FXM-së, foli profesori, Hamit Mehmeti, i cili ka qenë edhe nismëtar për organizimin e takimeve të studentëve të FXM-së. Gjithashtu foli edhe Adnan Pajaziti, studenti i parë i regjistruar në FXM.
Në pjesën e dytë të takimit, rektorja Deva ndau emblemën e UIBM për studentët e FXM-së, të cilën e pranoi Florie Tahiri. Ndërsa Sadri Ferati, në emër të studentëve të FXM-së, ndau një mirënjohje për dekanin themelues të FXM, akademik. Minir Dushi, të cilën në mungesë të akademikut që është në moshë të shtyrë, e pranoi profesori, Kadrush Berisha.
Në fund pjesëmarrësit e kanë vizituar kampusin universitar dhe kanë realizuar një fotografi të përbashkët para objekteve të UIBM. Përndryshe Fakulteti i Xehetarisë dhe Metalurgjisë është themeluar më 22 korrik 1974.