1

UIBM dhe Caritasi zviceran bashkëpunojnë për projektin TAKE

Më 27.03.2023, në ambientet e Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, është nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Caritasin zviceran në Kosovë në kuadër të projektit “Avancimi i Përbashkët i Trajnimeve dhe Punësimit në Sektorin e Arsimit në Kosovë (TAKE )”. Marrëveshjen nga Universiteti “Isa Boletini” e nënshkroi prof.dr. Alush Musaj, rektor dhe prof.assoc.dr. Besim Gollopeni, dekani i Fakultetit të Edukimit, ku edhe do të realizohet projekti, ndërsa nga Caritasi Zviceran  nga z. Gerhard Schaumberger, drejtor i Caritas-it dhe menaxherja e projektit TAKE, znj. Gjylbehare Llapi.

Projekti TAKE synon ofrimin e praktikës për studentët dhe të diplomuarit në drejtimin e edukimit parashkollor të Fakultetit të Edukimit, organizimin e seminareve për krijimin e një kuadri për praktikat pedagogjike, rishikimin dhe avancimin e udhëzuesit për praktikat pedagogjike, zhvillimin e një programi për procesin e monitorimit të praktikave pedagogjike, zhvillimi i moduleve për rikualifikimin e asistentëve të edukimit parashkollor, krijimi i materialeve dhe trajnimeve didaktike për prindërit dhe një mori aktivitetesh të tjera që çojnë në ngritjen e cilësisë së edukimit parashkollor.

Para disa muajsh, dekani i Fakultetit të Edukimit, Prof. Besim Gollopeni ka zhvilluar takime me përfaqësues të Caritas-it Zviceran për të diskutuar mbi këtë projekt dhe ndër të tjera, si dhe me institucione të tjera gjithashtu ka shpalosur idenë e hapjes së një kopshti/çerdhe për fëmijë në Fakultetin e Edukimit në Mitrovicë, ku është mirë pritur dhe, mbetemi me shpresë se projekti TAKE do të jetë edhe një forcë shtytëse dhe motivuese për të çuar përpara idenë e hapjes së një kopshti/çerdheje në UIBM.

1